Protesta e PS, bllokohen rrugët
Aristir Lumezi
Socialistët realizuan për 30 minuta bllokimin e disa akseve të rëndësishme. Në orën 13:00 në të gjithë vendin, për 30 minuta rresht, mes tensionit me policinë dhe qytetarët e bllokuar në qarkullim, socialistët dhe qytetarët që i mbështesnin bllokuan disa segmente, si autostradën Tiranë-Durrës, rrugët nacionale Tiranë-Elbasan, Gjirokastër- Tepelenë, Lushnje-Fier, Shkodër-Tiranë, Urën e Poshnjës në Berat dhe hyrjen e qytetit të Vlorës. Nuk kanë qenë të pakta rastet kur protestuesit, të ulur në asfaltin e rrugës, u konfrontuan me policinë, e cila nga ana e saj u mundua të lejonte qarkullimin e automjeteve. Në Tiranë protestuesit bllokuan Urën e Peshkatarit, duke mos lejuar lëvizjen e automjeteve drejt Elbasanit. Në Durrës, protestuesit bllokuan autostradën Tiranë- Durrës, në vendin e quajtur mbikalimi i Kënetës. Qytetarë të irrituar nga ky veprim gati sa nuk janë përleshur me protestuesit, por ka qenë ndërhyrja e policisë që ka ulur tensionet. Në Gjirokastër, në të njëjtën orë, 13:00 u bllokua aksi kombëtar Gjirokastër-Tepelenë. Të pranishëm në protestë ishin dhe deputetja Arta Dade dhe deputeti Et’hem Ruka. Protestuesit janë ulur këmbëkryq, duke mbajtur parrulla në duar kundër Qeverisë. Në Lushnje është bllokuar autostrada Lushnje-Fier. Në mbështetje të protestës ishte dhe deputeti Bashkim Fino, i cili është shprehur se protestat paqësore do të përshkallëzohen. Protestuesit u shtrinë në asfalt dhe nuk kanë pranuar të largohen. Në Berat mbështetësit e PS u ulën para Urës së Poshnjës dhe nën thirrjet “Berisha largohu” kanë bllokuar aksin kryesor, që lidh Beratin me pjesën tjetër të vendit. Në Shkodër, protestuesit kanë bllokuar aksin Shkodër-Tiranë në Bushat. Protestues nga Puka, Malësia e Madhe dhe Shkodra nuk kanë lejuar lëvizjen e automjeteve në Kryebushat për 30 minuta. Po ashtu edhe në Lezhë është bllokuar autostrada që lidh këtë qytet me Tiranën. Dy deputetët, Gjok Jaku dhe Armando Prenga, kanë qenë të pranishëm dhe janë konfrontuar me policinë, e cila ka kërkuar hapjen e rrugës dhe rikthimin e qarkullimit, ndërsa është bllokuar një funeral, si dhe lëvizjen e mjeteve me turistë drejt Kishës së Laçit.
Rama
Kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama i bëri thirrje Policisë së Shtetit që të mos provokojë qytetarët që protestojnë paqësisht në përputhje me të drejtat e tyre kushtetuese. Duke folur në protestën e opozitës në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, Rama ka theksuar se protestat nuk zhvillohen kundër policisë dhe shtetit, por kundër pushtetit. “Dua ta theksoj se manifestimet tona të protestës janë manifestime të një shpirti opozitar që nuk jepet dhe qëndron i palëkundur, por që mishërohet përmes qytetarësh që nuk kanë në duar gurë dhe që dalin në shenjë solidariteti me këtë greve urie”, është shprehur Rama. “Ne nuk dalim në rrugë për të penguar të tjerët, por që Shqipëria të mos pengohet në rrugën e saj dhe që çdo shqiptare dhe shqiptar ta ketë të hapur rrugën e vet”, deklaroi Rama. “I bëj apel drejtuesve të policisë së shtetit të mos krijojnë probleme. Ata qytetarë që kanë protestuar paqësisht të mos preken asnjë fije floku nga policia. Kjo nuk është një protestë që zhvillohet kundër policisë dhe kundër shtetit, por kundër pushtetit që ka marrë peng lirinë dhe të drejtat që duhet t’i lëshojë”, shtoi Rama. “Shqipëria do të bëhet dhe ne do ta bëjmë të gjithë se bashku duke filluar nga garancia se çdo shqiptar do ta ketë të paprekshme të drejtën për të votuar”, theksoi ai.
Rrugët e bllokuara në orën 13:00
Autostrada Tiranë-Durrës
Rruga nacionale Tiranë-Elbasan
Rruga nacionale Gjirokastër-Tepelenë
Autostrada Lushnje-Fier
Autostrada Shkodër-Tiranë
Autostrada Lezhë-Tiranë
Ura e Poshnjës, Berat
Hyrja e qytetit të Vlorës