E Shtunë, 31 Tetor 2026

Greva e urisë dhe vetëdija qytetare

Do të duhej që deputetët e Partisë Socialiste të mos kishin pranuar të mbahej seanca plenare e Kuvendit, ndërkohë që dhjetë qytetarë të këtij vendi, dhjetë kolegë të tyre deputetë të popullit zhvillojnë një grevë urie. Do të duhej që kolegët e Ilir Metës dhe të nëntë grevistëve të tjerë, ata që përfaqësojnë në Kuvend partinë e vlerave dhe të solidaritetit njerëzor, partinë e solidaritetit socialist apo partinë shokërishte, siç është shprehur Dritëro Agolli, të shkonin e të uleshin në krah të Ilir Metës jo siç bënin kur ishte Kryeministër e i jargaviteshin për t‘u bërë ministra, por siç kanë qenë përkrah tij dhe bashkë me të në Poliçan e në sallën e Kuvendit kur mazhoranca e Berishës më 1993 votonte për t‘i hequr imunitetin e në të gjitha vitet kur Partia Socialiste ishte realisht në opozitë dhe me kryetarin në burg. E, më së paku, do të duhej të ulnin kokën e të dilnin jashtë sallës së Kuvendit për të mos pranuar të turpëroheshin prej Spartak Ngjelës, që i vënë në anën e deputetëve grevistë, i akuzoi si "opozitën e vetme në botë që tradhton interesat e popullit të vet".

Pra, do të duhej që deputetët e Partisë Socialiste, deputetët e partisë, ku Ilir Meta erdhi njëzetvjeçar e u bë kryeministër i vendit, të dëshmonin se, pavarësisht mospajtimeve për qëndrime politike, apo për gjithçka tjetër, kanë mbetur shokë, se kanë mbetur bartës të vlerave, për të cilat ka 18 vjet që iu flasin shqiptarëve.

Mirëpo, jo vetëm që nuk reaguan në këtë mënyrë, por u bënë shëmbëlltyra e turpit, teksa as skuqeshin dhe as zverdheshin, kur Spartak Ngjela i denonconte publikisht, apo kur deputeti grevist, Frrok Gjini, iu kujtonte plagët e marra më 1996, në protestat e opozitës në mbrojtje të votës së lirë dhe të vlerave të demokracisë. Të pacipë e të zvetënuar deri në lakuriqësi njësoj si kryetari i tyre josocialist dhe në pushtet, ata dëshmuan se nuk janë më socialistë, por qenie që marrin frymë, që hanë dhe që ecin mbi dy këmbë, me të cilat shkojnë edhe në Kuvend. Punë për ta dhe Zoti i ndihtë!

Greva e urisë nuk është më çështje e 10 deputetëve. Ajo është tani çështje madhore e shoqërisë shqiptare. Eshtë padyshim kryeçështja e opozitës, është vija e ndarjes midis moralit dhe amoralitetit politik, midis opozitës dhe pseudo-opozitës, midis misionarëve të progresit dhe jeniçerëve të regresit.

Përmes një akti qytetar dhe tejet sublim, dhjetë grevistët e urisë risollën edhe një herë në vëmendjen e publikut të vërtetën e madhe se metastazat e korrupsionit, pasi "vranë" Kushtetutën në natën e 21 prillit, duke i dhënë jetë pushtetit ilegjitim të gërdecarëve, pasi i mbyllën gojën lidershipit të Partisë Socialiste dhe pasi ndanë e shpërndanë sheshe, troje, mjedise të gjelbra dhe terrene sportive, duan të shkatërrojnë edhe vetë themelin e demokracisë; votën e lirë, pushtetin e qytetarit në një shoqëri demokratike. Për këtë arsye, vlera reale e grevës së urisë të dhjetë deputetëve, ridimensionohet në një apel qytetar që i bashkon të gjithë, pavarësisht bindjeve apo përkatësisë partiake, në mbrojtje të së nesërmes tonë evropiane.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›