Rastet kur qeveria mashtron me taksat
Grupi parlamentar i Partisë Socialiste e konsideron projektbuxhetin e 6 muajve të fundit të kësaj qeverie, si "një projektbuxhet demagogjik, me qëllim elektoral". Në emër të PS-së, deputeti Shpëtim Idrizi ka shprehur keqardhjen që qeveria vjen me një projektbuxhet të çoroditur dhe piramidal, duke sjellë një rritje ekonomike nga 3.7-4%, për 2009. Idrizi, njëherësh anëtar i komisionit parlamentar për ekonomisë, që në fillim e ka vënë theksin te deficiti buxhetor, i cili për 2009 parashikohet të jetë rreth 50 miliardë lekë. "Në këto 3 vjet, 2006, 2007, 2008, qeveria ka marrë borxh mbi 1.3 miliardë USD. Dhe me mbi 550 milionë dollarë që parashikohen të merren në vitin 2009. Ky borxh gjatë mandatit të kësaj qeverie shkon në afërsisht 2 miliardë USD. E këto 2 miliardë USD janë marrë në emër të shqiptarëve dhe do të paguhen nga ata e ky është një tjetër taksim indirekt që kjo qeveri po u bën atyre", u shpreh dje Idrizi. Si eksperti i fushës së tatimeve, anëtari i Kryesisë së PS-së ka folur edhe për nivelin e të ardhurave, që, sipas tij, në 2009 do të jenë me një rritje prej zero për qind. "I gjithë sistemi doganor e tatimor në fund të vitit 2008, sipas shifrave të buxhetit, pritet të mbledhë 205 miliardë lekë, pra rreth 2.1 miliardë USD", shprehet Idrizi. Ai shton se, "si është e mundur që në këto 3 vjet të jenë mbledhur 2 apo 3 miliardë lekë më shumë? Dikush do të thotë që janë ulur taksat. Ky është mashtrimi më i madh që u bëhet shqiptarëve". Duke i marrë të gjitha taksat me radhë, Idrizi është shprehur se politika e qeveria duket në plan të parë sikur ka ulur nivelin e tyre, por në fakt janë përdorur mekanizma që kanë krijuar rritjen më forcë të të ardhurave. "Që nga janari i vitit 2008, çdo biznes i vogël duhet të paguaj si gjithë bizneset e tjera tatim-fitimin, duke u shumëfishuar tatimi. Për sigurimet shoqërore, bizneseve iu caktua pagë referuese dhe numër punëtorësh. Nga ulja e tatim-fitimit me 10% kanë përfituar vetëm 5 kompani të mëdha. Në vitin 2007 u rrit me 10 herë, pra nga 1 në 10%, tatimi mbi shitjen e pasurisë. Akciza e naftës u rritën me 4 lekë/litri, cigaret me 15 lekë paketa dhe pijet alkoolike dhe verës me 55% etj.", renditi Idrizi disa nga politikat e ndjekura nga qeveria në tre vitet e fundit. Ai shtoi se ishte premtuar ulja e TVSH-së nga 20 në 17% dhe 6% për energjinë elektrike, 0 për shërbimet e edukimit, arsimit dhe barnave, por qeveria nuk e mbajti fjalën. "Por, ajo që është dhe më e rënda për taksapaguesit shqiptar, është vendosja e tatimit mbi të ardhurat mbi pagat e ulëta dhe të mesme. Pra, deri në 400 mijë lekë në nivelin 10%, kur më parë ato tatoheshin me 1-5%. Rritja mbi 10 herë e tatimit mbi pagat goditi mbi 300 mijë punonjës. Kurse nga kjo taksë buxheti i shtetit fryhet me 10 miliardë lekë në vit", tha Idrizi.