Në qytetin me 30 emra
Ishte një paradite e ngrohtë tetori e po mundohesha të sistemoja postën elektronike të mbushur me e-mail -e, që njoftonin për aktivitete të ndryshme në nivel evropian. Java e parë e nëntorit do të ishte Java Evropiane për të Rinjtë dhe aktivitetet kishin nisur që në tetor, në Bruksel, me Ditët e Medias Rinore, duke u spostuar gjeografikisht herë majtas e herë djathtas. Në punë e sipër, duke fshirë e-mail -et e panevojshëm për t‘u arkivuar, më vjen një mesazh i çuditshëm, gjysmë turqisht, gjysmë anglisht: A keni dëgjuar ndonjëherë për një qytet me më shumë se 30 emra…? Nuk e di pse, po sapo pashë fjalën Stamboll m‘u kujtuan planet e mia shumëvjeçare për të kaluar pushimet verore në Turqi, e që pothuaj përherë përfundonin në diskutime ankimore me shoqërinë diku në ndonjë nga lokalet jashtëzakonisht të shtrenjtë të bregdetit shqiptar. "Po të kishim vajtur në Antalya do na binte më lirë…".
Mesazhi i ri më ftonte për të marrë pjesë në një konferencë mbi dialogun ndërkulturor të të rinjve të Ballkanit, tamam në Stamboll. Aktiviteti organizohej nga Agjencia Kombëtare e Turqisë, përfaqësuese e programit Nisma për të Rinjtë, ndërmarrje e Drejtorisë së Përgjithshme për Edukimin dhe Kulturën në Komisionin Evropian. Ky program njihet shumë pak në Shqipëri, pasi ne nuk kemi një Agjenci Kombëtare të tillë. Në fakt, Turqia është një nga të paktat vendet jo-anëtare të BE-së që ka një agjenci të tillë. Programi synon krijimin e mundësive për bashkëpunim, trajnimin dhe përkrahjen e dialogut midis të rinjve të rajonit tonë ende problematik në këtë sens. Programi, i miratuar në vitin 2006, ka një zgjatje 10-vjeçare dhe zbatohet në brendësi të BE-së, por edhe jashtë tij. Me zbatimin e projekteve të financuara nga ky program merren OJQ të ndryshme, të regjistruara pranë këtij programi. Agjencia Kombëtare Turke, ashtu si dhe simotrat e tjera kombëtare në shtetet e BE-së, bashkërendonte punën e OJQ-ve që vepronin në Turqi, e gjithashtu njihej nga Qendra për Edukimin Evropian dhe Programe për të Rinjtë, organizatë qeveritare e Zyrës së Planifikimit Shtetëror.
AKT do të organizonte në datat 05-07 nëntor konferencën "Dialog në Ndryshueshmëri-Dialogu ndërkulturor midis të rinjve në Ballkan". Pjesëmarrësit duket se qenë zgjedhur me kujdes në mënyrë që të përfitoheshin përfaqësues të fushave të ndryshme si media, teatri, ambientet universitare, muzika, dhe përfaqësues të OJQ. Në fund ishte parashikuar një mbrëmje në një restorant lundrues mbi Bosfor.
Me një frymë fillova t‘u përgjigjesha kërkesave informative të ftesës dhe paralelisht shikoja informacione mbi blog-et në internet për jetën në Stamboll. Jeta e natës, zakonet e popullsisë vendase, pikat turistike, organizimi i sistemit urban etj. Për të qenë dhe më i informuar, telefonova dhe një mikun tim italian, që kohët e fundit kishte bredhur disa herë në Stamboll, madje pas këtyre turneve kishte filluar të linte mustaqe e mjekër.
"Polis"-i i Ballkanit
Pata fat: Pranimi më erdhi disa ditë më vonë dhe, falë një kompanie ajrore, çdo gjë u vu në vijën e duhur për të ndërmarrë udhëtimin tim të parë në kufirin më të skajshëm juglindor të kontinentit të vjetër, atje ku Evropa dhe Azia janë bashkë në të gjitha kuptimet. Kur vura këmbën në "shkallaren" e avionit m‘u kujtua ajo shprehja e famshme shqiptare: "Hip këtu të shohësh "Stambollin". Nuk e dija si kishte lindur kjo shprehje në shqip, por me siguri në origjinë të saj duhet të ketë pasur dëshirën gërryese për ta parë me çdo kusht Stambollin dhe jo të kundërtën. Një miku im grek më pati shpjeguar dikur që grekët e vjetër dhe brezat pas tyre kurrë nuk thoshin "po shkojmë në Stamboll" (Istanbul), por "po shkojmë në Polis", pra "në qytet". Për Stambollin (versioni shqip i emrit) historikisht njihen mbi 30 emra, duke nisur me Carigrad (sllovenisht), Estambul (spanjisht), Istambul (portugalisht), Istamboul (version francez), Istanboel (gjermanisht), İstanbul (Turqisht), Isztambul (hungarisht), Konstantinúpolis Polis (greqisht), Stambul (rusisht), Tzarigrad (bullgarisht), Constantinople, Byzantium (anglisht) etj., deri tek emrat më të vjetër si Byzantium, Augusta Antonina, New Rome, emrat epitete si "Queen of Cities" (mbreti i qyteteve), "The Great City", "City of the Emperors", "Capital of the Romans".
Stambolli, kryeqyteti i Ballkanit
Aeroporti i Milanos//////////////////////////////////////////// nuk kishte shumë udhëtarë dhe në avion më pritën me buzëqeshje turkeshat simpatike të personelit të bordit. Avioni ishte tepër komod. Kisha lexuar dhe më parë për këtë dukuri. Zakonisht kompanitë e flamurit, siç quhen kompanitë ajrore kombëtare, tregojnë kujdes për klientët, por me shfaqjen e kompanive low-cost, disa prej tyre nuk tregojnë më kujdesin e mëparshëm, edhe pse çmimet relativisht janë të larta. Gjithsesi, ndoshta kjo ndjesi më vinte pasi isha i gëzuar që do shkelja në Turqi. Por komoditeti i lartësisë u zhduk menjëherë sapo vura këmbën në aeroportin "Ataturk". Një mizëri njerëzish me përfshinë nga të katër anët. Gjithkush i drejtohej daljes. Sportelet e policisë kufitare ishin plotësisht të zënë. Një grup qytetarësh i drejtoheshin zyrës që shpërndante vizat. Siç do e mësoja, ne shqiptarët bëjmë pjesë te grupi "jo më fatlumët, po pak më me fat se disa të tjerë". Që do të thotë se do paguanim vetëm 10 euro për një vizë 60 ditore. Në vendet e tjera jashtë BE-së duhet të paguash disa herë më shumë për një vizë disa ditore dhe përveç kësaj humbet dhe dy-tre ditë varavingo nëpër konsullata.
Aeroporti ishte një "melting pot". Veç gjuhëve perëndimore që isha mësuar të dëgjoja, veshët më zinin tinguj e fjalë aziatike, që nuk kujtohesha dot nëse i kisha dëgjuar më parë. Në fakt, tabela e stërmadhe e mbërritjeve shënonte emrat e gjithë kryeqendrave të Lindjes së Mesme dhe Lindjes së Largët, përveç emrave të kryeqendrave evropiane. M‘u desh të përdorja gjithë shkathtësinë e mundshme që të përfundoja sa më shpejt procedurat e të takohesha me përfaqësuesit e AKT, që më prisnin te dalja. Më vonë mora vesh që do më duhej të prisja dy profesorë francezë, të cilët kishin pasur vonesë me avionin e tyre. I durueshëm, prita duke tymosur disa cigare turke, që i bleva me një çmim të papërfillshëm në krahasim me ato që i paguaj zakonisht në Itali, ku studioj prej 5 vitesh. Koha e pritjes ishte e mjaftueshme dhe kur erdhën francezët e vonuar me theksin e tyre karakteristik në anglisht, iu drejtuam hotelit.
Rrugës mbeta i mahnitur. Rruga e aeroportit ishte një shumëfish matematik për nga numri i bizneseve, që kishin selitë e tyre në këtë rrugë, në krahasim me ato pak kilometra që kisha parë nëpër aeroportet e tjera. Dita e parë e aktivitetit nisi me një seancë njohjeje me pjesëmarrësit e tjerë. Takova miqtë e mi të përhershëm gazetarë nga Sllovenia, Maqedonia dhe Turqia, por takova dhe të ftuarit nga Shqipëria e Kosova. Rreth 120 të rinj nga Turqia, Maqedonia, Greqia, Shqipëria, Kosova, Serbia, Bullgaria, Rumania, Bosnja, Kroacia, Sllovenia, Hungaria, Sllovakia, Franca, Portugalia, Estonia, Holanda, Lituania etj., do të merrnin pjesë në punimet e konferencës. Prezantuesi dhe njëkohësisht përkujdesësi i seancës na premtoi se në fund të ditës do të ishim në gjendje t‘i thërrisnim gjithsecilit në emër. Një gjë e pamundur, por gjithsesi grumbullimi në atë dhomë të vogël bëri të thyenim heshtjen dhe druajtjen fillestare për t‘u prezantuar me njëri-tjetrin. Ballkanasit, pavarësisht grindjeve pa fund dhe përpjekjes për supremaci ndaj fqinjit, ngjajnë me njëri-tjetrin shumë më tepër se ç‘mendojnë vetë ata. Kështu që, në përfundim të ditës kisha krijuar grupin "kohë e lirë-cigare dhe kafe", që përbëhej nga shqiptarë, maqedonas, serbë, kroatë dhe kosovarë.
Konferenca do të hapej nga z. Sefa Yahsi, drejtor i AKT, dhe fjalimi mbresëlënës i regjisorit Serdar Akar. Për përshëndetje, një ekip muzikor luajti pjesë orkestrale me motive ballkanase. Pastaj përfaqësuesit e OJQ nga shtete të ndryshme prezantuan objektivat e tyre dhe çdo pjesëmarrës krijoi kontakt me to. Ky ishte një nga momentet më premtuese, pasi krijimi i lidhjeve midis të rinjve në Ballkan është një vështirësi e madhe në kushtet e një regjimi vizash dhe mungesës së pavarësisë ekonomike, të pamjaftueshme për të ndërmarrë udhëtime kërkimore apo thjesht njohëse a turistike. Çdo përfaqësues mundohej të parashtronte objektivat e organizatës që përfaqësonte, por edhe iu përgjigjej pyetjeve mbi vendin e tij. Stendat e Kosovës e të Shqipërisë ishin vendosur përballë. Anash ishin stendat e të gjitha shteteve kufitare. Për një moment, në një nga kalimet e shumta u gjenda në afërsi të profesorit francez Oliver Vedrine, lektor në Komisionin Evropian, dhe parakaluam të dy përballë stendës së Kosovës. Më parë kishim pasur një bisedë mbi ngatërrueshmërinë e statusit të Kosovës në ligjin ndërkombëtar dhe të dy kishim rënë dakord me shaka se "duhej një fuqi mbinjerëzore që t‘i gjente Kosovës një pozicion në të". Në momentin e kalimit para Ronit dhe Krenares, që ishin përfaqësuesit e një organizate rinore në Kosovë të dy, për shaka, mbuluam sytë me dorë që të bënim gjoja sikur nuk do e shihnim këtë stendë e të vazhdonim me stendën tjetër. Filluam të diskutonim me dy miqtë tanë kosovare. Pozita ime në këtë aktivitet ishte paksa e ngatërruar, pasi vija në Stamboll si "një reporter i lirë" dhe nuk kisha si të përfaqësoja stendën e organizatave nga Shqipëria, kështu që lëvizja sa në një stendë në tjetrën, duke ndihmuar përfaqësuesit të sistemonin stendat e tyre. Diçka më bëri përshtypje: të rinjtë me kombësi serbe, prej të cilëve një pjesë e madhe jetonin në Kosovë, përveçse lëviznin në të dy stendat, përfaqësonin edhe OJQ që kishin si objektiv rritjen e dialogut midis dy popullsive.
Gjetja e konferencës ishte Nervin Kadrija, një boshnjako-serb që jetonte në Kosovë. Fliste rrjedhshëm të gjitha dialektet e mundshme të ish-Jugosllavisë dhe turqisht. Më vonë, në një nga mbrëmjet argëtuese do flisnim edhe shqip, gjuhë që ai po e mësonte në një kurs privat. Me keqardhje iu desh të pranonte se shqipja i duhej për të pasur mundësinë e gjetjes së një pune në Kosovë: "Serbishtfolësit nuk shihen mirë në Kosovë. Megjithëse unë jam ‘neutral‘, si boshnjak mundësitë e mia për të ndërtuar një jetë në Kosovë bëhen gjithnjë e më shumë të pakta". Nuk i drejtohej më shumë problemit të kombësisë, por korrupsionit qeveritar, mungesës së infrastrukturës, cilësisë së shërbimeve dhe primatit të shqiptarëve në seleksionim për vende pune, pavarësisht përgatitjes profesionale. Më erdhi keq, pavarësisht se "korrupsioni" nuk njeh atdhe e flamur!
Në mbrëmje u organizua një koncert ballkanik me pjesëmarrjen e të gjithë të rinjve. Gjithsecili kishte sjellë diçka nga vendi i tij. Fotografi, pije, ëmbëlsira dhe ushqime të kripura gjendeshin në çdo tavolinë "shtetërore", por unë u fiksova fillimisht te stenda e Turqisë, për të shijuar llokumet dhe pastaj u spostova te stenda e Serbisë për t‘u "qarë hallin" miqve të mi serbë me një gotë raki. Ishte një 18-vjeçar serb, i cili jo vetëm u kthye në një banakier të mrekullueshëm, por më dha një mësim të mirë ndërkulturor. Në stendat e Kosovës dhe të Serbisë kisha marrë disa ngjitës, përkatësisht flamurin e Kosovës dhe një ngjitës ku thuhej "Ja sam Srbije" dhe një zemër në mes (unë jam zemra e Serbisë - tip trakti i organizatës ‘Moja Initsiativa‘) dhe i kisha ngjitur përpara dhe mbrapa një bluze që mbante stampën "Hard Rock Caffe". Denisi më pyeti pse nuk i mbaja të dyja përpara. U detyrova të pranoja se nuk doja të krijoja ndonjë keqkuptim. Ai duke qeshur më tha: "Nuk ka vend për keqkuptime këtu, pasi jemi të gjithë me mendje të hapur". M‘u prek sadopak sedra prej "më të madhi", por qëllimisht pse ma tha ai këtë, i vendosa të dyja ngjitëset afër njëra-tjetrës. Një fotografe boshnjake u mundua të më bënte foto, por nuk kishte dritë të mjaftueshme. "Ǒtersllëk!!!", mendova. Mbrëmja u mbyll me një performancë të mrekullueshme të ish-jugosllavëve që kënduan një këngë mbi Jugosllavinë me sa u hante zëri. Ne, shqiptarët e Shqipërisë, kishim kënduar më parë, po aq bukur, "eja, eja lulebore". Në mbyllje, të gjithë nxitonin të pastronin sadopak vendin dhe shpejtuan të dilnin në qendër të qytetit.
Pazari i botës
Turqit duken tmerrësisht nacionalistë. Deviza perandorake: "Për ju që hyni këtu nuk ka më kombësi, por vetëm shtetësi" veproi këtu për shumë shekuj. Nuk kisha parë asnjëherë aq shumë flamuj nëpër rrugë. Çdo shtyllë ose ballkon pallati kishte ose një flamur turk, ose një fotografi të Mustafa Qemal Ataturkut, themeluesit të Turqisë së re, që drejtoi vendin që nga viti 1923 drejt një të ardhmeje në paqe, stabilitet, modernizim dhe ekonomikisht në ngritje. Por Stambolli i vërtetë është krejt tjetër në thelb. Ai ka jetën e natës më të larmishme në të gjithë kontinentin evropian.
Përballë një restoranti të prodhimeve të detit mund të gjesh një birrari irlandeze; përballë një klubi tradicional me karrige dhe tavolina si ato të shtëpisë së xhuxhëve, që ne brezi i viteve ‘90 kemi parë me dhjetëra herë në gjuhën turke te TVSH, mund të gjesh një shitës orësh, që sigurisht nuk janë prodhuar nga ‘Swatch‘, ‘D&G‘ etj.; përballë një birrarie me muzikë turke mund të gjesh një disko, ku muzika rock shpërthen dhe të rinjtë e veshur në të zeza dhe me flokë të gjata dalin si të çoroditur. E, çfarë tjetër nuk mund të gjesh! Një atmosferë të tillë nuk mund ta gjesh në asnjë vend perëndimor. Mund të shijoje çajra të shumëllojshëm dhe njëkohësisht të porosisje një kaush midhje nga ambulantët e shumtë, mund të porosisje një birrë dhe njëkohësisht pijetarët ta digjnin gurmazin me një Yeni Raki. Por mund edhe të guxoje të kërkoje të të sillnin ndonjë pije tip Martini ose Rhum, ose ndonjë kokteil, që pastaj ta paguaje katërfish, në këmbim të një vallëzimi me një bionde turke.
Sekreti i Stambollit është diskutimi i çmimit. Fjala "pazar" merr kuptimin e vërtetë këtu! Mund të përfitosh ulje marramendëse. Zakonisht reklamuesit e lokaleve ftonin turistët e shumtë të zinin vend në lokalet përgjatë rrugës dhe nëpër rrugica, duke premtuar çmime fikse. Por nëse bëje "të vështirin", vije re se çmimi i fillimit përgjysmohej. Kur të dyja palët binin dakord në një çmim final të pijeve që do konsumonin, atëherë kamerierët e kishin për borxh ta kthenin lokalin përmbys vetëm që të sistemonin tavolinat dhe karriget sipas dëshirës së klientit. Për një klientelë si ajo e jona, ku rreth 30 të huaj kërkonin të porosisnin, kamerierët turq mund të bënin gjithçka.
Stambolli funksionon në sajë të nxitimit në të bërit biznes. Tregtarët e të gjitha llojeve nxitojnë të të afrojnë pranë tezgave të tyre, gati sa nuk të tërheqin me forcë. Me ato pak fjalë anglisht që kanë mësuar, të bëjnë dhjetë oferta të ndryshme në pak sekonda. Por sapo marrin vesh që ti nuk ke ndërmend të blesh gjë, menjëherë i drejtohen turistit të radhës që po kalon aty pranë. Më të çmendurit janë taksistët, që mund të ndalojnë në mes të rrugës dhe të presin mikun e tyre që kanë marrë në telefon për të ardhur e për të marrë pjesën tjetër të klientëve, që ai nuk i ngarkon dot. Edhe atje ka furgonë, ku si te ne në Shqipëri shtojnë pupa krahas sediljeve normale. Përfitimi duhet të jetë maksimal! Dhe ngarja e makinës është një çmenduri. Koha nuk pret! Kushedi sa turistë do të hipin në të njëjtin furgon gjatë natës. Një i ri turk, që dëshiron të ndajë udhëtimin me ne, bëhet përkthyesi ynë nga anglishtja në turqisht. Nga ana tjetër është policia, që ndryshe nga skenat që shihen në Shqipëri, është ku e ku më serioze. Karrotrecët zakonisht kanë një ekuipazh prej dy vetash, drejtuesin dhe policin e trafikut që nuk ngurron të ngarkojë makinën e parë që ka thyer ndonjë rregull. Policët janë gjithandej. Pashë edhe një tip autoblindi të policisë nga ato që përdoren për të larguar turmat me pompa uji. Nuk kishte "mitingashë", por ama policët që "kalëronin" këtë mjet ishin të pajisur sikur do të hasnin në ndonjë protestë të tipit "anti G8". Rrugët kryesore janë të pastra, megjithëse ka një mbipopullim të tyre. Nata e parë turke për ne do të mbaronte duke kontrolluar faqet tona në "facebook" dhe duke diskutuar në "msn" me miqtë "virtualë" të internetit të orëve të vona. Të nesërmen në mëngjes të gjithë i kishin sytë e perënduar, por një mëngjes i fortë turk plot e përplot me kalori dhe karbohidrate të risjell në vete.
"47 states dream"
Dita e dytë e konferencës ishte plot aktivitete. Të ndarë në grupe të ndryshme të rinjtë diskutuan për politikat evropiane mbi të rinjtë, mundësitë për të rinjtë, pjesëmarrjen në aktivitete ndërkombëtare për të rinjtë dhe mënyra për përfitim prej tyre, marrëdhëniet midis BE-së dhe Ballkanit, të shkuarën dhe të ardhmen e Ballkanit, informacionin dhe rrugët e përçimit të tij në Ballkan, ndryshueshmërinë kulturore në Ballkan, dialogun ndërfetar, muzikën, teatrin, kërcimin, gazetarinë dhe shumë tema të tjera. Interes ngjalli seanca mbi perceptimet evropiane për ballkanasit dhe anasjelltas. Të rinjtë u ndanë në dy grupe që përfaqësonin ata që ndiheshin evropianë dhe ata që ndiheshin ballkanas. Megjithëse askush nuk dinte të jepte një përkufizim të të qenit evropian apo ballkanas, seanca u vendos të zhvillohej në bazë të stereotipeve. Sipas këtyre stereotipeve ballkanasit u shprehën për evropianët si: të pasur, mendjelehtë, sipërfaqësorë, striktë, të pandjeshëm, të ekzagjeruar, vendimtarë të gabuar për çështje të gabuara, dominues të padrejtë etj., etj. Ndërsa evropianët për ballkanasit u shprehen: të ngrohtë, shakaxhinj, të çmendur, nacionalistë, pjesëtarë të Evropës, problematikë, luftarakë, gjaknxehtë etj., etj. Në përgjithësi këto përkufizime janë stereotipe, por ajo që u vu re ishte shqetësimi i të gjitha palëve për këto stereotipe. Gjithashtu, diçka tjetër që ngjalli interes ishte pjesëmarrja e të rinjve grekë e bullgarë në grupin e ballkanasve dhe pjesëmarrja e njëtrajtshme e të rinjve turq në të dyja grupet. Seanca u mbyll me fjalimin e profesor Olivier Vedrine, i cili deklaroi se të qenit evropian nuk është aspak çështje gjeografike, por zotërimi dhe respektimi i vlerave të përbashkëta ndër të cilat ai veçoi: demokracinë, dialogun ndërfetar, dialogun qytetar, të drejtat e njeriut dhe solidaritetin. "Ballkani është kthyer në një kusht për krijimin e shtetit të Evropës dhe mbrojtjes së ndryshueshmërisë kulturore të këtij shteti të ardhshëm të përbërë nga 47 vende (47 states dream)", përfundoi ai. Diskutime të zjarrta ngjalli dhe përkufizimi i vetë BE-së dhe sfidave të tij në të ardhmen.
Në një seancë tjetër u diskutua për të shkuarën dhe të ardhmen e Ballkanit. Të rinjtë, pasi u ndanë në grupe diskutimi, filluan të punonin të veçuar dhe në fund ndanë mendimet e tyre. U dallua që, edhe pse mbi tema të ndryshme si ekonomia, demokracia, respektimi i të drejtave të njeriut, qeverisja dhe ligjshmëria, familja e shoqëria, sistemi shëndetësor dhe nevojat e rinisë, të rinjtë që vinin nga shtete të ndryshme shprehnin të njëjtat ankesa, vinin në dukje gabime të njëjta, shprehnin të njëjtat kërkesa dhe, gjithashtu, çka është më e rëndësishme, shpresonin në një të ardhme ku ndarjet fetare, etnike dhe midis sekseve të mos ekzistonin. Çështje të diskutuara me interes ishin lëvizja e lirë e të rinjve në Ballkan dhe Evropë, angazhimi i strukturave shtetërore për sigurimin e të ardhmes profesionale të të rinjve që mbaronin studimet, kalimi nga një shoqëri e mbyllur në një shoqëri të hapur drejt ndryshimeve në çdo fushë, nevoja për rinovim të sistemit shëndetësor dhe kujdesi për ambientin në shtetet ballkanike.
Profesori francez, Jean-Yves Chevalier, që bëri mbylljen e seancës me një fjalim të shkurtër, nënvizoi: "Ballkani është një vend me shumë kultura, që ndryshojnë në bazë të vendosjes gjeografike, vendosjes rurale, por edhe zhvillimit ekonomik. Në disa qytete të shteteve ballkanike gjatë udhëtimeve të mia kam vënë re një modernizim që në disa raste barazohet, por edhe kalon modernizimin aktual të të rinjve "evropianë", e në disa raste të tjera kam vënë re një prapambetje gjysmëshekullore. Vendet ballkanase kanë nevojë për stabilizim dhe një standard të njëtrajtshëm në brendësi të tyre, por edhe në krahasim me vendet e BE-së".
Të gjitha seancat u pasqyruan nga grupi i reporterëve dhe në fund të konferencës u botua një gazetë e thjeshtë, që do të ndihmonte të gjithë pjesëmarrësit në aktivitet në mbylljen e konferencës. Mbyllja u shoqërua me një koncert ballkanik të luajtur me mjeshtëri nga orkestra turke, që kishte mësuar melodi nga të gjitha vendet e Ballkanit.
Në mbretërinë e sulltanëve
Pasditja e ditës së fundit të konferencës i ishte kushtuar vizitës në objektet e trashëgimisë kulturore të Stambollit. Fillimisht u drejtuam për nga Pallati Topkapi, seli qendrore e Perandorisë Otomane për rreth 400 vjet. Aty kishin jetuar sulltanët turq dhe kishin grumbulluar pasuritë e tyre të paimagjinueshme. Ky pallat, ndryshe nga godinat mbretërore dhe oborret mbretërore evropiane, kishte një shtrirje të gjerë dhe përbëhej nga godina disakatëshe, të ndërtuara me mjeshtëri dhe shije orientale. Pallati Topkapi ishte i ruajtur rreptësisht nga ushtarë. Fillimisht nuk po e kuptoja praninë e tyre. Zakonisht në ambientet historike evropiane rojtarët e vetëm dhe të paktë që sigurojnë godinat janë punonjës civilë. Por këtu ruheshin thesaret e sulltanëve. Bizhuteri me një vlerë të papërcaktuar fshiheshin në brendësinë e atyre godinave të vogla. Vetë fronet e zbukuruara me diamante, rubinë dhe smeralde, rrinin në hijet e dhomave që në atë kohë kanë qenë të ndriçuara me dritën e qirinjve a të llambave me vaj. Edhe syri i evropianit më të stërvitur në bursa, tregje ndërkombëtare, bilance firmash të suksesshme do të zmadhohej nëse shikon ato shpata, thika, kurora, gjerdanë, byzylykë e xhevahire që gjendeshin brenda atyre mureve të thjeshta në Topkapi. Me shaka, unë dhe një miku im maqedonas, vendosëm të bënim një "vjedhje" me karakter "kombëtar": një diamant për çdo gropë të buxheteve tona shtetërore. Por, pastaj, e lamë si muhabet se nuk dinim nëse vërtet do të kishte mjaft diamante në Stamboll. Qeshëm me të madhe dhe tërhoqëm vëmendjen e turistëve perëndimorë, që akoma po ëndërronin në dalje të dhomave të thesareve perandorakë.
Një mrekulli më vete ishte dhe Xhamia në brendësi të pallatit, ku ruheshin relike të profetëve më të mëdhenj nga Davidi te Muhameti e duke vazhduar te të tjerë. Ishte e premte dhe hoxha këndonte gjatë gjithë kohës. Disa prej miqve tanë perëndimorë çuditeshin sesi mund të këndonte për një kohë të gjatë ai mjekrosh.
Na u dha mundësia të vizitonim edhe Bazilikatën e Shën Sofisë, e ndërtuar nga vetë Kostandini i Madh dhe e rikonstruktuar nga perandori romak Justiniani në shekullin VI e.s. Aktualisht po rikonstruktohej nga një firmë perëndimore e specializuar që, siç më thanë dy inxhinierë nga Milano, të cilët po udhëtonin me mua në avion, kanë gjetur një treg të frytshëm në Stamboll.
Më tej u drejtuam nga ajo që çdokush e thërret si "Xhamia Blu". Vendi i kultit më madhështor, por jo më i vjetër në Stamboll, është ndërtuar nga arkitekt Sinani, arkitekti më i njohur i epokës së artë turke. Pas faljes së pasdites, hoxhallarët e katër minareve kishin pushuar së kënduari dhe ne "turistët" mundëm të shihnim vetëm ndonjë turk që do ishte vonuar në punë e që erdhi për t‘u falur në këtë xhami. Pata dhe një diskutim të shkurtër me një kolegun tim turk, kur më tha që hyrja për turistët është nga ana tjetër, pasi këndej hyjnë vetëm ata që vijnë për t‘u falur. "Po jam mysliman, more", i thashë. Turku qeshi dhe tha: "Oh, yes I forgot, Arnauvutluk!" Gjithsesi bëra një shaka, pasi nuk e kam idenë sesi mund të falesh në xhami. Xhamia dukej madhështore. Për shkak të zbukurimeve të saj me ngjyrë blu ajo kishte marrë emrin turistik ‘Xhamia Blu‘, por shumë pak turq e thërrisnin ashtu. Në Stamboll ajo njihej me emrin Xhamia e Sulltan Ahmetit, sulltan që kishte jetuar në shekullin XVI. Hoqëm dhe këpucët në hyrje dhe shumë perëndimorë morën shpjegim se përse hiqeshin këpucët para së të hyje në xhami. Pastërtia në atë vend ku njerëzit shfrytëzojnë çdo pëllëmbë vend për të mbështetur ballin është themelore. Gjatë kohës që ciceronia turke po na fliste për xhaminë, një burrë me një djalë të vogël shkoi të falej. Fëmija, duke parë gjithë atë hapësirë boshe të mbuluar me tapet të trashë, filloi të luante për shtatë palë qejfe, derisa i ati mbaroi të falurën dhe u dha fund kollotumbave të tij, që po bënte shumë turistë të vinin buzën në gaz.
"Orient biznes"
Ashtu siç thonë dhe shkodranët, "ëmbëlsira për në fund", organizatorët turq na kishin organizuar një mbrëmje mbi Bosfor. Trageti i mobiluar si restorant, përveçse tregonte flamurin turk që gjendej në çdo anë që hidhje sytë, kishte dhe një mori flamurësh të tjerë. Dalloheshin flamujt e Japonisë, Rumanisë, Francës, SHBA-së, Gjermanisë, por edhe ai shqiptar. Si student i shkencave politike fillova të vrisja mendjen se në ç‘motiv ishte bazuar vendosja e flamurëve. Vrisja mendjen për ndonjë aleancë po hiç! Si përfundim, më doli që banakieri i tragetit ishte një Rushit, me gjyshërit nga Korça, dhe që kishte në celular këngën "Mora pushkën dola për gjah". "Shumë larg të paska ngrënë pushka, or mik", doja t‘i thosha, por nuk dija turqisht dhe ai dinte shumë pak shqip. Atij iu bë shumë qejfi që ne të gjithë përfaqësuesit shqiptarë iu afruam dhe e përshëndetëm. Nuk do ishte shqiptari i vetëm që kishim takuar ato ditë në Stamboll. Disa të dhëna tregojnë se në Turqi ka disa milionë turq me origjinë shqiptare, që kanë ruajtur fare pak gjuhën: Perandoria i ka bërë shtetas të saj besnikë. Nga ana tjetër, zakonet pak a shumë i kemi të njëjta. Miqtë e mi turq më thanë që gatimet shqiptare ishin shumë të njohura anembanë Stambollit dhe kush kishte një mik shqiptar zëre se kishte një thesar. Turqit janë shumë të afeksionuar pas kuzhinës, sidomos ëmbëlsirave. Dhe si duket me këta shqiptarë kishin gjetur njëri-tjetrin.
Mbrëmja do na rezervonte një surprizë të mrekullueshme që unë dhe pjesa më e madhe e djemve gati kishim humbur shpresat, nëse do të kishin rast të shikonim. Bëhej fjalë për kërcimtaret "e belit". "We want belly-dancers", thoshim sa herë binte fjala për vendin ku do shkonim gjatë mbrëmjeve të lira. Kërcimtarja mulate, që organizatorët kishin pajtuar për të dhënë shfaqje, u duk nga fundi i mbrëmjes ku të gjithë ne, si sulltanët, vezirët dhe oborrtarët e asaj kohe, ishim fryrë me gjellë të gatuara me mjeshtëri e prisnin shfaqjen e bukurosheve për të kaluar një tretje sa më të gëzueshme. Vajza filloi të kërcente nën tingujt e orkestrës gazmore, të përbërë nga meshkuj që me moshë duhej të ishin gjyshërit e saj, por që e kishin buzën vesh më vesh më keq se ne të rinjtë. Profesioni i valltares në Turqi është një nga profesionet më fitimprurëse. Vajza, pasi përfundoi shfaqjen e saj me kërcime të lehta, iu afrua tavolinave të para të sallës ku për fat të mirë (të keq për të dashurat) timin dhe të kosovarit Ron Salaj do të ishim "darovitësit" e parë. Si shqiptarë të qëmotshëm nuk i kursyem bakshishet për atë vajzë, që na kishte bërë të pinim gotat pa u vënë re fare. "Po u dërgoj çunave në Tironë një mesazh", i thashë mikut tim kosovar, por ai ma kishte kaluar. Sapo përfundoi së shkruari mesazhin në celular: "Qe besa, në Prishtinë mbrrini mesazhi", më tha.
Pas kësaj mbrëmjeje të mrekullueshme, ai grup i madh të rinjsh filloi të dilte në kuvertë dhe të bënte foto me sfond pallatet dhe vilat e bukura buzë Bosforit. "Çmimet e këtyre apartamenteve janë më marramendëse se kërcimi i turkeshës", u dëgjua të thoshte një turk. Pasi kaluam poshtë urës së Bosforit, që lidhte Azinë me Evropën, restoranti lundrues ndali në pikënisje dhe të gjithë u shpërndanë grupe-grupe për t‘u takuar më vonë rastësisht në rrugicat që gjarpëronin në qendrën e pjesës evropiane të Stambollit. Të nesërmen do ishte dita e kthimit në Itali për mua, por ama nuk mund të humbisja rastin të shihja Kapali Çarshi-n, pazarin e mbuluar të Stambollit. U bëmë një grup shqiptarësh dhe dolëm nëpër Pazar. M‘u kujtua dhe një këngë, që fliste për një të ri shqiptar, e që kishte takuar një dyqanxhi turk, i cili kishte dalë me origjinë shqiptare më vonë. Dhe ne gjetëm një shqiptar që mezi u bëri një ulje vajzave që ishin me ne për disa shalle orientalë. Me shpejtësi të madhe u kthyem në hotel për të marrë çantat dhe u zhdukëm drejt aeroportit: Stambolli po të bëri për vete, nuk të lëshon.
Pjesën më të madhe të të rinjve që njoha atje tashmë e kam në kontaktet e mia në postën elektronike. Ftesa vizitash u shkëmbyen nga të gjithë. Konferenca me siguri nuk zgjidhi problemet e Ballkanit, por ama krijoi shumë miqësi të reja. Ndoshta konferenca të tilla duhej të ishin bërë edhe 20, 30, 40 a 50 vjet më parë. Stambolli aty ka qenë, xhamitë, pallatet mbretërore, tregtarët e midhjeve, kërcimtaret, anijet mbi Bosfor, turqit, grekët, shqiptarët, boshnjakët, serbët, maqedonasit, bullgarët kroatët, "evropianët". Ndoshta, fjalët e regjisorit Serdar Akar, i njohur për serialin e tij mbi Ballkanin, "Elvada Rumeli", janë zgjidhja e vetme: Ju të rinjtë do e shpëtoni Ballkanin! Por ama dhe sa kohë do na duhet të jemi të rinj?