“Greva e urisë e paligjshme, u kryen vepra penale”

Gjykata e Tiranës
Grave e urisë e disa ish të përndjekurve të regjimit komunist, është antiligjore. Ky është vendimi i Gjykatës së Tiranës, ndaj padisë së ngritur nga Policia e Tiranës.
Pas kërkesës së policisë së qarkut të Tiranës një ditë më parë drejtuar gjykatës për shpërndarjen e grevës së urisë, gjyqtarja Arjana Çaço ka vendosur që greva e urisë të shpërndahet, pasi në të janë kryer vepra penale të dënueshme dhe anti-ligjore. Në vendimin e Gjykatës thuhet se, “tubime kuptohen grumbullime me karakter paqësor dhe pa armë në të cilat një grup personash shprehin kërkesat e pikëpamjet e tyre për problem për të cilat janë të interesuar. Por, jemi para kushteve të nenit 9 germa ‘a’ të ligjit nr. 8773, dt. 23. 04. 2001 ‘Për tubimet’, pasi dy nga pjesëmarrësit në këtë grevë urie (tubim) dhe pikërisht. Gjergj Ndreca dhe Lirak Bejko, kanë tentuar të vetëdigjen, gjë që cenon sigurinë e personave, ndërsa për sa i përket nenit 9 germa ‘b’, në të cilin thuhet se shpërndarja e tubimit bëhet dhe ne rast se gjate zhvillimit të tij kryhen krime.
Gjykata arsyeton se pikërisht në këtë greve (tubim) sipas dokumentacionit të Prokurorisë së Rrethit Tirane, është akuzuar shtetasi Perikli Shqevi për kryerjen e një krimi, si ajo e ‘Plagosjes së rëndë me dashje’, në dëm të shtetasit Gjergj Ndreca, i cili ka qenë pjesëmarrës në këtë greve urie (tubim). Në këto kushte Gjykata duke e konsideruar se këto incidente gjatë zhvillimit të kësaj greve urie (tubimi) mund të përsëriten dhe se këto incidente mund të vënë në rrezik jetën ose shëndetin e pjesëmarrësve parashikuar nga neni 16/c i ligjit nr. 8773, dt. 23. 04. 2001, ‘Për tubimet’, çmon se duhet vendosur marrja e sigurimit të kërkesë padisë duke urdhëruar shpërndarjen e grevës së urisë (tubimit), që po zhvillohet nga një grup ish të përndjekurish politik, në një ambient të hapur në Rr. ‘Hiqmet Delvina’, Tiranë, bazuar në nenet 202, 204 të Kodit të Procedurës Civile”.