Meta apel forcave politike: “Të votojmë ligjet dhe reformat për shqiptarët, jo për partitë”

Kreu i LSI-së, Ilir Meta nga Berati bën apel forcave politike të votojnë tre çështjet e rëndësishme që i janë kërkuar Shqipërisë nga BE-ja për t’i thënë “Po” fuqishëm dhe pa kushte integrimit të vendit në muajin dhjetor. Pas disa takimeve të zhvilluara në fshatrat Velabisht e Duhanas të komunës së Velabishtit, kryetari i LSI-së Ilir Meta ka zhvilluar pasditen e djeshme një takim me anëtarë e simpatizantë të LSI-së në Pallatin e Kulturës “Margarita Tutulani” në qytetin e Berati.
Gjatë fjalës së tij, Meta tha se LSI do t’i japë Shqipërisë dhe shqiptarëve një status të ri, statusin e qytetarit evropian dhe ky është një premtim që do ta mbaj ashtu siç mbajtën edhe premtimin për liberalizimin e vizave për shqiptarët.
“Jemi në një moment të rëndësishëm dhe mjaft pozitiv, pas rekomandimit pozitiv që Komisioni Evropian ka bërë për Shqipërinë për t’i dhënë statusin si vend kandidat për në Bashkimin Evropian, një sfidë për të cilën LSI është e angazhuar që në themelimin e saj, një sfidë për të cilën ekziston Lëvizja Socialiste për Integrim, një sfidë e cila do të meritojë gjithmonë angazhimin dhe përkushtimin tonë më të madh sepse është një sfidë me të cilën lidhet jo thjesht emri i kësaj force politike, por është një sfidë me të cilën lidhet e ardhmja e të gjithë qytetarëve shqiptarë. Ndaj nga qyteti i Beratit unë dua të apeloj për të gjitha forcat politike, sidomos për ato parlamentare, për t’iu përgjigjur edhe ne pozitivisht përmes vullnetit tonë politik në Parlament, këtij inkurajimi pozitiv që ka bërë Komisioni Europian në mënyrë që t’i votojmë ato tre çështje kaq të rëndësishme që i janë kërkuar Shqipërisë, në mënyrë që të gjitha vendet anëtare t’i thonë “po” Shqipërisë në dhjetor në mënyrë që të hapim një faqe të re në marrëdhëniet me Bashkimin Europian, por edhe me Europën, jo vetëm si institucion por edhe si koncept në mënyrë që t’i japim Shqipërisë një status tjetër, po t’i japim edhe qytetarëve shqiptarë një status tjetër më të avancuar dhe më të barabartë me atë të qytetarëve të Evropës, ashtu sikurse dy vjet më parë u dhamë shqiptarëve mundësinë për të udhëtuar pa viza në të gjithë zonën Shengen në kontinentin tonë”, tha Meta.
Në përfundim të fjalës së tij lideri i LSI-së Ilir Meta ka shpërndarë edhe kartat e anëtarësimit për 200 anëtarë të rinj të LSI-së në Berat, ndërkohë që në fshatrat Velabisht e Duhanas ka shpërndarë 300 karta anëtarësimesh të reja.