“S’bëhemi vegla të falangës Rama-Ruçi, PS kërkon të nxisë frymë antikombëtare”
Ish-të përndjekurit në Pogradec dhe Shkodër kundërshtojnë grevën e urisë
Ish-të përndjekurit dhe të burgosurit politik të Shkodrës dhe në Pogradec kanë kundërshtuar grevën e urisë që po mbahet në Tiranë nga ish-të burgosurit politik. Ata thonë se kjo grevë urie e koordinuar nga njerëz të inkriminuar nuk i përfaqëson dhe se ata duhet ta lënë sa më parë këtë grevë.
“Greva e urisë, ngjason me një sajesë të porositur nga PS-ja për të krijuar një situatë antikombëtare për të penguar në çdo mënyrë marrjen e statusit të kandidatit për përfshirjen e Shqipërisë në Bashkimin Evropian, duke zhvleftësuar edhe veprimtaritë për festimin e 100 vjetorit të pavarësisë, përvjetor i cili duhet t’i bashkojë shqiptarët dhe jo ti ndajë. Ne si shoqata nuk jemi dakord dhe nuk pajtohemi me deklarata publike që denigrojnë drejtuesit më të lartë të tre komuniteteve fetare që veprojnë në vendin tone, të cilët janë shembull në botë për mirëkuptimin e harmoninë në mes tre komuniteteve”, u shpreh Zenel Dragu, kryetar i Shoqatës së ish-të përndjekurve politik-Shkodër.
Drangu thotë se greva është plotësisht e politizuar nga Partia Socialiste dhe kjo, sipas tij, shihet qartë nga lidhja e disa grevistëve me strukturat e PS-së.
Për këtë arsye, në emër të shoqatës ai u bëri thirrje të sinqertë grevistëve dhe familjarëve të tyre të cilët nuk janë përlyer materialisht e moralisht, të dalin sa më parë nga kjo grevë e pakuptimtë dhe të presin një ngjarje historike, atë të 100 vjetorit të Pavarësisë.
E njëjta thirrje është bërë edhe nga ish-të përndjekurit politikë të shoqatës në degën e Pogradecit.
“Me shqetësim e indinjatë të thellë kemi ndjekur grevën e një grupi të vogël të përndjekurish politikë në kryeqytet, grevë kjo e organizuar nga elementë kriminalë të ish-sigurimit të shtetit e elementë me precedentë penale për prostitucion e vepra të tjera penale. Kjo nuk është greva jonë, kjo nuk është grevë në shërbim e interesin e të burgosurve politikë. Ky është një akt i pastër politik në përkrahje të hapur të Edvin Kristaq Ramës e Gramoz Ruçit me shokë. Kjo është fund e krye një organizim i hapur në favor të persekutorëve tanë. Shoqata e të Përndjekurve Politikë Dega Pogradec, distancohet nga kjo situatë, duke mos shpresuar zgjidhjen e problemeve tona tek partia pasardhëse e Partisë Komuniste”, u shpreh shoqata e ish të përndjekurve të Pogradecit.
Të martën ish-të përndjekurit politike të Korçës akuzuan drejtuesit e PS-së, dhe kreun e FRD-së, Bamir Topin për organizim të grevës dhe keqpërdorim të shtresës së të persekutuarve.