Bllokohen 2.6 mln euro dy vëllezërve nga Berati
PASTRIMI I PARAVE
Prokuroria pritet t'i kërkojë gjykatës sekuestrimin e këtyre pasurive deri sa të dyshuarit të provojnë se janë të ligjshme
Pasuritë janë bllokuar edhe për dy miqtë e vëllezërve, ndërsa paratë dyshohet se i përkasinë një rrjeti të shfrytëzimit të femrave
TIRANË- Prokuroria e Krimeve të Rënda, në zbatim të ligjit "Antimafia", pas relatimit të dosjes nga njësia e task-forcës së Prokurorisë së Rrethit Tiranë, urdhëroi sekuestrimin e një sasie prej 2.6 milionë eurosh, për dy vëllezër nga Berati dhe për dy të njohur të tyre, ndaj të cilëve prokuroria po heton për e "pastrim parash".
Po kështu është kërkuar edhe bllokimi i disa pasurive të paluajtshme që figurojnë në emrat e tyre. Lajmi konfirmohet nga burimet të njësisë së Antikrimit Ekonomiko-Financiar, të Prokurorisë që saktësuan se hetimi ka nisur në maj të vitit 2009. Sipas saj po hetohen për "pastrim të parave" dy vëllezërit nga Berati Aleksandër e Sokol Shehu, kunati i tyre Can Murataj nga Tropoja, si dhe Fatos Zeka po nga Berati.
Dy vëllezërit Shehu, dyshohen janë pjesë e një organizate kriminale që merrej me "trafik dhe shfrytëzim prostitucioni" ne Greqi. Nga ky aktivitet ata dyshohet se përfitonin rreth 12 mijë euro në ditë dhe më pas me aktivitetet e tyre në Shqipëri kryenin "pastrimin e këtyre të ardhurave". Në Shqipëri, njësia e Task-Forcës së kryeqytetit, ka nisur hetimet ndaj të dyshuarve për akuzat e mësipërme nisur nga bizneset e tyre të ngritura në vend.
"Shekulli" siguroi dy kopjet e vendimit të sekuestrimit preventivë të pasurisë së katër personave që ndodhen nën hetim për akuzën e "pastrimit të parave", ku jepen detaje për llogarit e tyre bankare dhe transaksionet e kryera nga Greqia në Shqipëri që kapin shifrën e 2.6 milione eurove.
Gjithashtu, në këto vendime, saktësohet se njëri nga të dyshuarit kryente transaksione bankare nga llogaria e tij personale shuma prej 10 mijë eurosh në llogari të femrave të ndryshme rezidente në Greqi dhe personave tjerë që mendohet se janë rusë. Veç këtyre transaksioneve, sipas vendimeve të gjyqtarit Gjin Gjoni të datave 26 dhe 27 maj 2009, të dyshuarit kanë sjellë në Shqipëri rreth 2.6 milione euro.
Kjo nëpërmjet disa transaksioneve bankare, në tre raste nga 500 mijë euro dhe më pas në shuma më të vogla.
Nga këto të ardhura, sipas vendimeve, në Shqipëri janë blerë dy apartamente, një truall me sipërfaqe 4.100 metër katrorë në fshatin Muçaj të Vlorës, është ngritur një pikë karburanti në Vlorë, një lokal dhe ka filluar aktivitetin kompania e tyre me emri "Shehu" sh.p.k.
Kjo shoqëri, sipas vendimeve të gjykatës, dyshohet se përdorej për pastrimin e parave të "pista" të sjella nga Greqia. Sipas hetimeve, shtetasi Can Murataj është regjistruar si subjekt tatimor në Tiranë në fushën e "shërbimeve telefonike", kurse Aleksandër Shehu është ortak dhe administrator i vetëm i shoqërisë "Shehu" sh.p.k. me objekt tregtie me pakicë dhe shumicë karburantesh, bar-kafe, import dhe eksport të mallrave të ndryshëm.
Sipas burimeve, mësohet se në ditët në vazhdim, Gjykata e Krimeve të Rënda me kërkesë të njësisë së Sekuestrimit dhe Konfiskimit të Aseteve Kriminale pritet të vendosë sekuestrimin e tyre mbi bazën e ligjit "Antimafia". Ky seksion funksionon pranë Prokurorisë së Krimeve të Rënda dhe ka brenda tij tre prokurorë.
Pas sekuestros, pritet të kërkohet që të katër të dyshuarit të gjejnë prova për të dëshmuar se pasuria e tyre është ngritur mbi bazën e një biznesi të ligjshëm. Hetimet kanë filluar pasi Drejtoria Kundër Krimit Financiar në Policinë e Shtetit ka referuar një material të hollësishëm të transaksioneve bankare të vëllezërve Shehu dhe miqve të tyre, duke kërkuar ndjekjen penale ndaj tyre.
SEKUESTRO PASURISË, SHEHU, MURATAJ, ZEKA
Shtatë llogari bankare në euro me vlerë 2.6 milione euro
Një llogari bankare në lekë me vlerë 1.078.900
Një llogari bankare në dollarë me vlerë 960
4.100 m2 Sipërfaqe trualli në fshatin Muçaj Vlorë
Pikë karburanti në Vlorë
Shoqëria "Shehu" Sh.p.k.
Lokal "Bar Kafe"
Dy apartamente në Tiranë