E Diel, 1 Nëntor 2026

Greva e urisë, tre banorë në spital

 

GJIROKASTER

Në ditën e dytë të grevës së urisë të dhjetë banorëve të pallatit të rrëzuar në lagjen “11 Janari”, tre prej tyre kanë paraqitur probleme serioze në shëndet. Axhem Mene, Bilbil Tena dhe Fejzi Aliaj personat më të moshuar të grupit të grevistëve, kanë paraqitur probleme të theksuara në sistemin kardiovaskular. Sëmundja e enëve të gjakut tek këta persona në moshë mbi 60-vjeçare, ka rënduar mjaft fizikun e tyre gjatë orëve të drekës së të martës. Një mjek, i cili survejon ecurinë e shëndetit të dhjetë grevistëve, pohon se në përgjithësi gjendja e grevistëve përveç këtyre personave ka qenë e mirë mirëpo kjo sipas tij, nuk do të thotë se rezistenca trupore e tyre është e palimituar. Me insistimin e mjekut, tre grevistët janë përcjellë në spitalin e Gjirokastrës për t’iu nënshtruar një kure me marrjen e serumeve, si pasojë e mungesës së lëngjeve trupore dhe mungesës së ushqimit. Nën efektin e serumeve të tre grevistët, nuk kanë dëgjuar rekomandimet e mjekëve për t’u larguar nga greva, por janë rikthyer në vendin e ngujimit. Ata këmëngulin se do të vazhdojnë grevën e urisë derisa shteti t’u përgjigjet për të drejtën e tyre që e kërkojnë prej më shumë se 1 muaji.
Ndërkaq, po dje, grupi i grevistëve, i ka përcjellë një peticion autoriteteve më të larta shtetërore në qendër për plotësimin e kërkesave të tyre, në rast të kundërt kërcënojnë se do të vetëflijohen në sakrificën më sublime të njeriut. Peticioni përveç deputetit të zonës Genc Ruli, i është dërguar edhe kreut të qeverisë Berisha, presidentit Topi si dhe institucioneve të tjera qeveritare. Sipas grevistëve, të gjithë këta pushtetarë kanë shprehur mbështetjen maksimale pas tragjedisë së ndodhur më 9 nëntor, ku humbën jetën 3 banorë dhe ngelën pa shtëpi 14 familje. Asnjë prej tyre nuk e pranon dëmshpërblimin me 23 mijë lekë/m2, siç iu është thënë për të kompensuar shtëpitë e rrënuara. Por, ish-banorët e pallatit të shembur kërkojnë kompensim në bazë të vlerës reale të apartamenteve. Ngjarja e rëndë ndodhi mesditën e 9 nëntorit në lagjen “11 Janari” në Gjirokastër. Gërmimet për hapjen e themeleve të një godine pranë pallatit 5-katësh provokoi dhe tronditjen e tij e më pas rrënimin e plotë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›