E Diel, 1 Nëntor 2026

Itali, kapet banda shqiptare me 83.5 kilogramë kokainë

 

ITALI – Forcat e policisë italiane arrestuan gjatë një aksioni të zhvilluar dje në mëngjes, dhjetë persona të akuzuar për trafik droge, mes të cilëve ndodhen tetë shqiptarë. Sipas mediave të vendit fqinj, tetë shqiptarët e arrestuar janë të gjithë nga Tirana. Bashkë me italianët ata mbanin 83.5 kilogramë kokainë, e cila është bllokuar gjatë ndërhyrjes së forcave të policisë. Nga përllogaritjet e para të hetuesve mësohet se sasia e bllokuar e drogës kap vlerën e dhjetë milionë eurove. Policia italiane ka deklaruar se bëhet fjalë për dy grupe kriminale të goditura, në përbërje të të cilave kishte shtetas italianë dhe shqiptarë. Emrat e të arrestuarve nuk janë bërë publikë nga policia e vendit fqinj, ndërsa mësohet se ngarkesat e drogës mbërrinin në Itali pasi trafikoheshin nga Spanja dhe Holanda. Sipas hetimeve të policisë italiane, mësohet se bazat ku vepronin pjesëtarët e bandave të arrestuara ndodheshin në Firence dhe Sesto Fiorentino. Pas arrestimit të dhjetë anëtarëve të bandave, ata janë dërguar në paraburgim për t’u marrë në pyetje ndërsa policia zgjeroi hetimet për të zbuluar aktivitetin e tyre që vazhdonte prej disa vitesh.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›