E Diel, 1 Nëntor 2026

Në gjyq pronari i skafit me 278 kg hashash, u kap në det

 

Trazhgim Sokolaj

Drejtuesi i skafit të ngarkuar me 278 kilogramë hashash, që u zbulua nga radarët e policisë kufitare kur po nisej drejt Greqisë më 15 shkurt 2008, dërgohet në gjyq me akuzën e trafikut të narkotikëve. Prokuroria e Krimeve të Rënda përfundoi hetimet dhe dërgoi në Gjykatë procedimin penal nr.23 me të pandehur Kloadian Bashollin, 27 vjeç, lindur në Pogradec e banues në Delvinë. Ai fillimisht u hetua nga Prokuroria e Sarandës, por më pas, dosja i kaloi për kompetencë Prokurorisë së Krimeve të Rënda. Sipas hetimeve të kësaj të fundit, më 15 shkurt 2008 rreth orës 22:00 në vendin e quajtur “Gjiri i Manastirit” është kapur një skaf me motor i markës “YAMAHA 115 EFT”, në të cilin ishin ngarkuar 14 çanta të mbushura me pako në formë cilindrike të mbështjella me letër natribani. Radari i forcave të policisë, i cili ndodhet në Ksamil rreth orës 20:15 ka konstatuar një mjet lundrues, i cili po lëvizte në drejtim nga jugu në veri. “Është urdhëruar skuadra e mjeteve lundruese të policisë kufitare të Sarandës, të cilët kanë konstatuar në afërsi të “Gjirit të Manastirit” mjetin lundrues”, thanë burimet e akuzës. Sipas tyre, pavarësisht thirrjeve të policisë për të ndaluar, drejtuesit e mjetit lundrues nuk kanë ndaluar, madje për t`iu shmangur policisë kanë filluar manovrat në det. Gjatë ndjekjes, forcat e policisë kufitare kanë bllokuar daljen e gjirit dhe pas kësaj drejtuesi i mjetit lundrues ka nxjerrë skafin në rërë dhe është larguar me shpejtësi nga mjeti lundrues. Sipas hetimeve, drejtuesi i skafit është larguar në drejtim të pyllit me qëllim për t’iu shmangur forcave të policisë që ishin vënë në ndjekje të tij. Shërbimet e policisë kanë bllokuar skafin e braktisur dhe më pas ka kryer këqyrjen e tij, duke zbuluar se mjeti lundrues ishte ngarkuar me 14 çanta që kishin peshë të përgjithshme 278.55 kilogramë. Në vendin e ngjarjes janë fiksuar edhe disa shenja të ngjashme me gjurmët e gjakut, ndërsa mjeti lundrues është lënë në ruajtje të rojës bregdetare të Sarandës. Sipas hetimeve, sasia e drogës ka qenë e destinuar për t’u trafikuar përmes detit në drejtim të Greqisë. Ndërkaq dyshohet se njollat e gjakut kanë mbetur në skaf pas ndonjë përleshje mes bashkëpronarëve të drogës ende të pa identifikuar, të cilët besohet se kanë pasur mosmarrëveshje për fitimin nga veprimtaria e trafikut. Drejtuesi i skafit është arrestuar shtatë ditë pas kapjes së drogës, më 22 shkurt 2008. Ai tashmë pritet të gjykohet nga Krimet e Rënda për trafikim droge në drejtim të Greqisë. Narkotiku ishte mbledhur nga zona të ndryshme në jug të vendit dhe ishte ngarkuar në skaf në bregdetin e Sarandës ndërsa një pjesë e dosjes është mbajtur në hetim për zbulimin e bashkëpunëtorëve të të akuzuarit.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›