E Diel, 1 Nëntor 2026

Cakran, banorët bllokojnë 4 orë rrugën me Fierin

 

FIER - Banorët e Cakranit bllokuan dje për 4 orë rrugën, që lidh  komunën e tyre me qytetin e Fierit. Qindra banorë të organizuar vendosën makinat e tyre, duke penguar totalisht qarkullimin e automjeteve të tjera edhe përgjatë aksit Fier-Vlorë. Banorët protestojnë për infrastrukturën e keqe rrugore, e cila sipas tyre përkeqësohet nga dita në ditë dhe askush nuk ndërhyn për një investim të shpejtë. “Na u shkatërruan makinat dhe mbetëm të izoluar. Nuk lëvizim dot për të shkuar në qytetin e Fierit. Jemi të privuar të shkojmë për t’u vizituar e për të bërë pazar. Rruga është shumë e keqe, aq sa mund të përshkohet vetëm me karrocë. Edhe ata pak furgonë, që futen këtu janë të shkatërruar. Jemi ankuar me qindra herë dhe askush nuk e ka dëgjuar zërin tonë. I kemi drejtuar kërkesa të shumta kryekomunarit dhe drejtuesve të Qarkut Fier, por askush nuk ka reaguar”, pohojnë ata. Sipas tyre, kjo rrugë lë të izoluar 13 komuna e fshatra, si: Cakran, Borishomë, Selishtë, Buzëmadh, Hambar, Marobovë, etj. Protesta e djeshme ka bllokuar mjetet në hyrje të Fierit, duke shkaktuar probleme me qarkullimin e udhëtarëve të shumtë. Nga ana e tij, kryetari i komunës së Cakranit, Vladimir Korçari tha se mbështeste plotësisht protestën e banorëve, duke e justifikuar angazhimin e komunës për mungesë të fondeve.  m.r

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›