Parlamenti sot seancë për Kodin e ri Zgjedhor
TIRANE- Seanca parlamentare e parashikuar për dje pasdite është shtyrë për ditën e sotme. Këtë vendim e mori Konferenca e Kryetarëve të grupeve kuvendore, e mbledhur për të diskutuar lidhur me Kodin e ri Zgjedhor. Në përfundim të saj u pretendua se ky vendim ishte marrë për t’i dhënë mundësinë grupeve parlamentare për të shqyrtuar në detaje draftin përfundimtar të ligjit elektoral. “Përfaqësuesit e grupeve parlamentare, në mënyrë unanime vendosën për shtyrjen e seancës plenare të pasdites, me përjashtim të përfaqësuesve të LSI-së dhe PDK-së, të cilët u shprehën kundër këtij vendimi”, - sqaruan për mediat burime zyrtare nga Kuvendi. Por në fakt, synimi për të shtyrë me 24 orë shqyrtimin e miratimin e Kodit në Kuvend ka qenë jo vetëm dhënia e një mundësie që palët të arrijnë një konsensus për miratimin e tij, por edhe shmangia me përballjen e protestës së paralajmëruar nga LSI-ja, PDK-ja e PS ’91 para godinës së Parlamentit. Kurse në një takim me mediat, kryetarja e grupit kuvendor socialist, Valentina Leskaj ftoi 10 deputetët grevistë për arritjen e një konsensusi. Por sikundër shtoi, të mbështetur mbi argumente e jo mbi presione. “Ne kemi argumentet tona, të tjerë kanë argumentet e tyre. Le t’i ballafaqojmë qetësisht përpara qytetarëve. Mllefi nuk është alternativë, se një qëndrim nuk imponohet me zor, por me argumente”, - u shpreh ajo. Nga ana tjetër,në mbledhjen e radhës së grupit parlamentar të PD-së, Berisha ka mbajtur vetëm një fjalim të gjatë për buxhetin e ’09, pa dhënë asnjë koment mbi krizën në Parlament.
(s.g/GazetaShqiptare/BalkanWeb)