Dobjani pengohet të inspektojë Qendrën e Azilkërkuesve
TIRANE- Qendra e Azilkërkuesve nuk lejon njësinë e parandalimit të torturës pranë Avokatit të Popullit, të inspektojë kushtet në të cilat jetojnë aty refugjatët e strehuar. “Askush nuk mund të ushtrojë kontroll apo të kërkojë informacion pa marrë më parë miratimin e eprores”, - ka qenë kjo përgjigja refuzuese që inspektorët e Avokatit të Popullit kanë marrë nga drejtori i kësaj qendre, Idajet Çera. Duke pranuar këtë arsyetim, grupi i inspektimit i është drejtuar me një shkresë zyrtare edhe drejtores për Shtetësinë dhe Refugjatët në Ministrinë e Brendshme, Drita Avdyli. Por edhe përgjigja zyrtare e saj ka qenë refuzuese dhe e pabazuar në ligj. “Qendra Kombëtare Pritëse për Azilkërkuesit në Babrru, Tiranë, strehon persona të cilët janë në procedure për përcaktimin e statusit të refugjatit. Si të tillë, konform legjislacionit kombëtar dhe ndërkombëtar, këta persona nuk mund të jenë pjesë e inspektimeve për sa kohë ata strehohen në këtë qendër”, - ka qenë reagimi i Avdylit. Përballë kësaj situate, institucioni i Avokatit të Popullit përmes një komunikate për mediat, e konsideron këtë përgjigje “të paligjshme dhe qëndrim aspak ligjor, pasi kompetencat tona për të kryer inspektime në këtë qendër janë plotësisht të bazuara”. Ndaj dhe me një letër zyrtare, kreu i këtij institucioni, Ermir Dobjani i është drejtuar edhe ministrit të Brendshëm, Bujar Nishani, në varësi të të cilit është kjo qendër, duke i kërkuar bërjen e mundur të vijimit të misionit kushtetues dhe ligjor, pa pengesa në inspektimin e njësisë së pritjes e sistemimit të azilantëve.
Ligji
Kompetencën për të vizituar Qendrën e Azilkërkuesve, Avokati i Popullit e bazon në ligjin për funksionimin e tij. Konkretisht, në nenin 19/1 të ligjit “Për Avokatin e Popullit”, thuhet se “personat e autorizuar prej tij kanë të drejtë të hyjnë në çdo kohë, pa kufizim dhe pa autorizim paraprak, por duke vënë në dijeni titullarin e institucionit, në të gjitha institucionet e administratës publike, në burgje, në azile, në shtëpi fëmije, si dhe në çdo vend tjetër kur ka të dhëna dhe çmon se ekziston mundësia e shkeljes së të drejtave dhe lirive të njeriut”. Gjithashtu, në nenin 2 të këtij ligji thuhet se: “Dispozitat e këtij ligji zbatohen edhe për mbrojtjen e të drejtave të të huajve, të cilët janë ose jo rezidentë të rregullt në Shqipëri, të refugjatëve, si dhe të personave pa shtetësi që ndodhen në territorin e Republikës së Shqipërisë sipas kushteve të parashikuara në ligj”.
(s.g/GazetaShqiptare/BalkanWeb)