Grevë në Greqi, sektori shëndetësor kundër reformës

Greqia e nisi vitin 2012 me greva, duke treguar kështu situatën e rënduar ekonmike në të cilën ndodhet vendi. Doktorët grekë dhe farmacistët nisën të hënën një grevë 48 orëshe në shenjë proteste ndaj reformave në sektorin e shëndetësisë , ndërsa në spitale u trajtuan gjatë së hënës vetëm rastet e urgjencës. Farmacistët janë pozicionuar kundër vendimit të autoriteteve për të reduktuar listën e mjekimeve që subvencionohen nga shteti, në një përpjekje për kursime të mëtejshme.
Megjithatë, një zëdhënës i qeverisë u shpreh se vendi ka nevojë për reforma të mëtejshme për të përmbushur kushtet e vendosura në marrjen e huave. Sipas Shoqatës së Farmacistëve Grekë, antarëve të saj u detyrohen 400 milion euro nga kompanitë e sigurimeve shtetërore dhe private, prandaj çdo falje e pjesshme e këtyre borxheve do të dëmtonte rëndë interesat e sektorit. Në total, Greqia ka siguruar 240 miliardë euro kredi nga Bashkimit Europian për të shpëtuar nga falimentimi, por një prej kushteve të faljes së gjysmës së këtyre borxheve ishte edhe që autoritetet të bindin sektorin privat që të falë gjysmën e huave të marra brenda vendit. Një kusht i tillë duket shumë i vështirë për t`u realizuar në praktikë.
Nga ana e tij, Ministri Grek i Shëndetësisë deklaroi se reduktimi i listë së ilaçeve të rimbursueshme do t`i kursente vendit 90 milion euro. Kjo është pjesë e strategjisë për të reduktuar buxhetin për shëndetësinë nga 10,6 miliardë euro në vitin 2009, në 7 miliardë euro.
Janari është një muaj kritik për Greqinë në një kohë kur vazhdojnë negociatat me trojkën për të lëshuar këstin e 6 të ndihmave, si dhe për të arritur një marrëveshje me bankat të cilat do të investojnë në uljen e borxhit grek.