Tahiri: Dialogu do të vazhdojë gjatë muajit janar

Prishtina dhe Beogradi do të vazhdojnë bisedimet gjatë muajit janar. Energjetika, telekomunikacioni dhe përfaqësimi i Kosovës në nisma rajonale do të jenë tre çështjet që pritet të diskutohen. Data e saktë e takimit të radhës ende nuk dihet, por të dyja palët, Prishtina edhe Beogradi, konfirmojnë se dialogu do të vazhdojë. Udhëheqësja e delegacionit te Prishtinës Edita Tahiri tha për Deutsche Welle se gjatë takimeve të janarit do të diskutohen edhe çështje të tjera.
"Dialogu do të vazhdojë gjatë muajit janar. Besoj se nga mesi i muajit do ta kemi takimin e radhës dhe do të diskutohen çështjet që tashmë janë në axhendë: bashkëpunimi rajonal, energjia dhe telekomunikacioni. Po ashtu mendoj se gjatë muajit shkurt mund të kemi edhe një raund tjetër bisedimesh për çështjet si transportit rrugor dhe hekurudhor, transportit ajror, kompensimi i dëmeve të luftës çështja e të pagjeturve dhe çështje të tjera që kërkojnë zgjidhje" theksoi Tahiri.
Nga ana e Beogradit, kreu i delegacionit Borisllav Stefanoviç, ka kërkuar që në çështjen e përfaqësimit rajonal të Kosovës të merret parasysh Rezoluta 1244 e Këshillit të Sigurimit. Por sipas kryenegociatores kosovare Edita Tahiri ky është një kusht nga Serbia. Ndërkohë ndërmjetësi i Bashkimit Evropian në dialogun Kosovë-Serbi, Robert Cooper, ka deklaruar për mediat serbe se ai nuk do të merret me kushtetutat e Serbisë dhe Kosovës. Cooper thekson se do që të gjejë një zgjidhje praktike për të dyja palët.