Ish-presidenti maqedonas asnjëherë se njohu Kosovën

Ish-presidenti i ndjerë maqedonas Kiro Gligorov asnjëherë nuk ka njohur pavarësinë e Kosovës.
Gjatë mandatit të tij si president i Maqedonisë, Gligorov si një ish-komunist dhe i lidhur me Beogradin ka përkrahur në mënyrë indirekte regjimin e Sllobodan Millosheviçit lidhur me zhvillimet në Kosovë, duke kërkuar zgjidhje për Kosovën në kuadër të Serbisë.
Ai njihet me deklaratat e tij që Kosova është pjesë e Serbisë dhe duke kundërshtuar pavarësimin e saj. Gjatë mandatit të tij ka pasur dhjetëra takime midis Gligorov dhe Millosheviçit, në kuadër të një bashkëpunimi dypalësh, informon agjencia e lajmeve INA.
Një muaj para shpërthimit të luftës në Kosovë, Gligorov kishte propozuar në vitin 1999 hapjen e korridorit për shqiptarët e Kosovës në rast të deportimit të tyre drejt Maqedonisë nga ana e regjimit të Millosheviçit, pasi që sipas tij, Maqedonia nuk ishte në gjendje të përballonte fluksin e të zhvendosurëve.
Në një intervistë të fundit për Deutsche Welle, Gligorov sërish nuk ka vlerësuar shtetin e Kosovës si një realitet të ri në Ballkan. “Kosova vazhdon të jetë një çështje e dhimbshme për dikë, pasi në Serbi akoma ajo konsiderohet si vatra ku ka lindur shteti serb. Duhet ndoshta të arrihet një zgjidhje, me të cilën Kosova të ketë ndonjë lidhje me Serbinë. Për Maqedoninë, nëse Kosova bëhet shtet i vërtetë demokratik, ku do të respektohen të gjithë të drejtat e qytetarëve, pavarësisë kombësisë dhe feve të tyre, atëherë ajo nuk duhet të jetë edhe shumë rrezik. Por, nëse Kosova mbetet ashtu siç është, atëherë kjo mund të zgjoj dhe mobilizoj të gjitha ata që vlerësojnë se shqiptarët duhet të jetojnë në një shtet”, ka theksuar Gligorov, i cili u largua nga posti i presidentit pas zgjedhjeve të vitit 1999, kur në kreun e presidencës erdhi Boris Trajkovski kandidat i VMRO-DPMNE-së.