E Shtunë, 31 Tetor 2026

Grevë në burgun e Lushnjës

 

LUSHNJE - Akuza për ngacmim seksual mbi një prej gardianëve në burgun e Kosovës në Lushnje. Akuzues janë të burgosurit e këtij institucioni, sipas të cilëve njëri nga gardianët ngacmon seksualisht femrat e familjeve të tyre, teksa vijnë për t'i takuar në ambientet e burgut. Për këtë shkak disa prej të burgosurve prej rreth 24 orësh kanë refuzuar marrjen e ushqimit, ndërsa kërkojnë shkarkimin nga detyra të gardianit. Gjithashtu, mësohet se të paraburgosurit paralajmërojnë se do të bëjë edhe kallëzim penal në prokurori. Prania e një greve urie në këtë institucion nuk pranohet zyrtarisht nga autoritetet e burgjeve, ndërsa konfirmohet fakti se për një vakt nga disa prej të burgosurve është refuzuar ushqimi. Burime jozyrtare pohuan se të burgosurit kanë përgatitur një listë me kërkesa ku përveç shkarkimit të gardianit është edhe dhënia e lejeve të posaçme. Sipas të dënuarve, këto leje i mohohen edhe pse ata i plotësojnë kushtet e parashikuara nga ligji për përfitimin e tyre. Në peticion të dënuarit pretendojnë edhe korrupsion e marrje ryshfeti nga ana e autoriteteve të burgut për përfitimin e lejeve.   a.b

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›