Sot prova e madhe per Kodin e ri Zgjedhor

Duke e pasur të pamundur një gjë të tillë, pra miratimin e planit të punës, ku bënte pjesë dhe Kodi Zgjedhor, i cili duhet të votohet në sallën e Kuvendit, Konferenca e Kryetarëve vendosi shtyrjen për 24 orë të seancës së ditës së djeshme.
Sipas Konferencës së Kryetarëve, seanca do të zhvillohet sot, por dhe kjo nuk mund të thuhet me saktësi, pasi në orët e mëngjesit të sotëm, pritet të mblidhet sërish Konferenca e Kryetarëve për të saktësuar procedurën që do të ndiqet gjatë seancës parlamentare.
Justifikimi zyrtar i Konferencës së Kryetarëve për shtyrjen e seancës, ishte dhënia e kohës për grupet parlamentare me qëllim njohjen e tyre me projektligjin për Kodin e ri Zgjedhor. Shtyrja e kësaj seance do të thotë një ditë më shumë greve urie për dhjetë deputetët.
Përfaqësuesit e LSI-së dhe PDK-së në Konferencën e Kryetarëve kanë kërkuar të zbatohet rregullorja e Kuvendit, përkatësisht neni 69 i saj, ku shprehet qartë procedura që duhet të kalojë çdo projektligj, përpara se të kalojë në seancë plenare.
Ata kanë kërkuar kohë për të njohur dhe për të studiuar projektligjin dhe për të bërë propozime për amendamente sipas gjykimit të tyre.
Përfaqësuesit e LSI dhe PDK në konferencë, janë shprehur se nuk e kuptojnë nxitimin e PS-PD për të mos i lënë kohë deputetëve të njohin dhe përgatiten për debat për ligjin më të rëndësishëm të Shqipërisë, për ligjin, i cili na ka detyruar të mbyllemi në një grevë urie me sakrifica të mëdha personale, për ligjin i cili duhet të garantojë një bazë ligjore të pakontestueshme për zgjedhjet e ardhshme parlamentare.
Pas këtij vendimi, kryetari i LSI-së, Ilir Meta, është shprehur se greva e urisë së tyre do të vazhdojë, nëse nuk do të reflektohet objektivisht për Kodin e ri Zgjedhor.
"Partia Demokratike dhe ajo Socialiste duhet t'i bëjnë zgjedhjet sipas rekomandimeve të OSBE-ODIHR", është shprehur Meta, duke theksuar se vota e lirë dhe zgjedhjet e lira janë themeli i demokracisë, dhe asnjë politikë sektoriale nuk mund të jetë më e rendesishme se vota e lirë.
Greva e 10 deputetëve ka nisur një javë më parë dhe ata janë shprehur të vendosur t'i shkojnë deri në fund qëllimit të tyre. Por, se ç’do të ndodhë vërtet me grevën e urisë së dhjetë deputetëve, kjo mbetet për t’u parë ditën e sotme, ku Kuvendi pritet të mblidhet në seancë parlamentare.
Dy partitë e mëdha PD-ja dhe PS-ja deri më tani janë shprehur të vendosura për të mos u tërhequr nga qëndrimi i tyre, ndërkohë që presioni nga partitë grevistë sa vjen dhe rritet.
PDK-ja ka deklaruar dy ditë më parë se, nëse kodi miratohet pa u marrë parasysh sugjerimet e tyre, atëherë ata do të përshkallëzojnë reagimin e tyre, duke u futur në grevë urie 900 anëtarë të kësaj force politike.
Deputetët grevistë kanë theksuar dhe ritheksuar disa herë se janë të gatshëm të dalim nga kjo grevë dhe kontribuojnë për zgjidhjen nëse PS-PD shprehen qartë për përfshirje më të gjerë të faktorëve politik apo civil në procesin e administrimit të zgjedhjeve, dhe nëse Presidenti i Republikës apo OSBE garanton vërtetësi dhe seriozitet të këtyre deklaratave.