Grevistët, asnjë vizitë nga ana e autoriteteve shtetërore
Asnjë përfaqësues i institucioneve shtetërore, qeveritar apo vendor, nuk i ka vizituar 7 ish-punëtorët e Fabrikës së Demontimit në Gërdec, që prej ditës së djeshme kanë hyrë në grevë urie në një godinë në Vorë, e cila edhe ajo është dëmtuar nga shpërthimi i 15 marsit. Ata shprehen të bindur për të vijuar grevën në pritje të reagimit nga qeveria për kërkesat e parashtruara. Ish-punëtorët e Fabrikës së Demontimit, nga shpërthimi i së cilës gjetën vdekjen 26 persona dhe u plagosën rreth 300 të tjerë, kërkojnë dëmshpërblim për tragjedinë që i ka ndodhur. Më 29 maj ata i kishin dërguar një letër kryeministrit Berisha, për të cilën ende nuk kanë marrë një përgjigje. Ky ka qenë dhe shkaku që ish-punëtorët janë futur në grevë urie. Kërkesat e punëtorëve drejtuar qeverisë janë: 40 mijë lekë ndihmë financiare për çdo punëtor dhe kjo të paguhet për një vit; një vit rrogë me 50 mijë lekë në muaj; më pas shteti të sigurojë asistencën për këta punëtorë; pension për familjarët e viktimave; dëmshpërblim për mjetet motorike si dhe t’u njihen sigurimet shoqërore nga viti 2006 deri në ditën kur ndodhi shpërthimi.
10 Qershor 2008