Ruçi: “Qeveria të mos i trajtojë grevistët si kundërshtarë të saj”
Shaban Sulçe
Partia Socialiste solidarizohet me grevën e punëtorëve të Gërdecit, ndërkohë që nga ana tjetër dënon qëndrimin indiferent që qeveria po mban ndaj punëtorëve, të cilët prej katër ditësh kanë hyrë në grevë urie. Kryetarja e Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Valentina Leskaj, kryetari i Asamblesë Kombëtare, Gramoz Ruçi dhe deputeti Musa Ulqini, në emër të Partisë Socialiste, vizituan dje në shenjë solidariteti 7 grevistët e urisë, të strehuar një apartament në Vorë. Të mbetur pa punë pas tragjedisë në Fabrikën e predhave në Gërdec, pa shtëpi dhe pa asnjë lloj të ardhure, grevistët, me një moshë shumë të re, prej 4 ditësh po bëjnë një sakrificë sublime, në përpjekje për të arritur plotësimin e kërkesave të tyre. Por, për hir të së vërtetës, askush nga përfaqësuesit e shtetit nuk i ka vizituar ata gjatë këtyre ditëve, madje kanë pasur edhe presione nga policia për të dalë nga greva. Ky qëndrim i qeverisë dhe i strukturave shtetërore është dënuar nga deputetët e Partisë Socialiste. Ata i garantuan grevistët e urisë se do të vazhdojnë të ngrenë zërin e tyre në Parlament derisa të plotësohen kërkesat e tyre minimale për dëmshpërblim, që erdhën si rrjedhojë e një krimi shtetëror.
Leskaj
Kryetarja e Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Valentina Leskaj, tha se Grupi Parlamentar i Partisë Socialiste do të ngrejë zërin në Kuvend për plotësimin e të gjitha kërkesave të grevistëve. “Kemi paraqitur dhe po presim në Parlament projektin përsa i takon kompensimit të anës materiale, por edhe dëme të tjera, si pagesa për dëmtime fizike, pagesën për humbjen nga vendi i punës, pagesën për invaliditët për ata që kanë nevojë për të, pagesën për kohën e humbur nga mosnjohja e periudhës së punës nga sigurimet shoqërore dhe të gjitha të drejtat që ju takojnë, sepse ju jeni viktima të një krimi shtetëror dhe këto kosto nuk duhet ta paguajë populli i Gërdecit, por shkaktarët e krimit”, - u është drejtuar Leskaj grevistëve. Kryetarja e Grupit Parlamentar të PS-së tha se deputetët socialistë do të kërkojnë një kompensim të plotë për të gjithë të prekurit nga krimi shtetëror i Gërdecit.
“Ne do të vazhdojmë me nismën e dytë që e kemi lançuar që më 16 prill, që e përsërita edhe sot, pra me të gjitha kompensimet dhe të drejtat e tjera që u takojnë të gjithë atyre që kanë punuar në Gërdec, të gjithë familjarëve që kanë humbur jetën në Gërdec, të gjithë atyre që kanë jetuar rreth e rrotull dhe vazhdojnë të kenë pasojat e kësaj tragjedie të madhe. Ajo lidhet me pagat, pensionet, çështje të invaliditetit, për të cilat këta po bëjnë edhe një sakrificë sublime, duke qenë në emër të komunitetit dhe atyre që po vuajnë pasojat”, - u shpreh Leskaj.
Ruçi
Kryetari i Asamblesë Kombëtare të Partisë Socialiste, Gramoz Ruçi, dënoi qëndrimin e mbajtur nga ana e qeverisë në lidhje me punëtorët grevistë. “Deri sot ka pasur deklarata politike, që post-Gërdeci është administruar në mënyrë të shkëlqyer, por prania juaj këtu sot, e atyre që nuk janë, e atyre që janë në Konvaleshencë, deklaratat që ata bëjnë, tregojnë se nuk janë të vërteta ato që janë thënë nga qeveria”, - tha Ruçi. Ai shprehu mbështetjen e PS-së ndaj grevistëve dhe të gjithë banorëve të prekur nga tragjedia e Gërdecit dhe tha se PS-ja nuk do të reshtë asnjëherë nga përpjekjet institucionale për plotësimin e kërkesave të tyre. “Ne do të vazhdojmë të kërkojmë në Parlament që qeveria aktuale të mos bëjë shurdhin, të mos bëjë memecin apo qorrin. Vendimet e saj duhet të jenë syri, veshi, mendja, zemra, halli, problemi dhe shqetësimi juaj. Ne këtë kemi në dorë dhe këtë nuk do ta kursejmë, duke e bërë në rrugë institucionale dhe demokratike. Ju përshëndesim për qëndrimin tuaj shumë civil e qytetar dhe, nga ana tjetër, ashtu sikurse nuk pajtohemi me miopi që dikush, qoftë presioni i policisë, apo civil, përfaqësues të pushtetit vendor, apo përfaqësuesi juaj në Parlament, apo maxhoranca, nuk duhet t’ju trajtojë ju si kundërshtarë, por ta përcaktojë veten si pjesëtar të hallit tuaj, duke i zgjidhur ato”, - tha Ruçi.
10 Qershor 2008