Veliaj: “Të zgjidhen urgjentisht kërkesat e grevistëve!”
“G99”-a denoncon publikisht indiferencën dhe braktisjen nga ana e qeverisë ndaj punëtorëve të Gërdecit në ditën e tyre të katërt të grevës dhe bëri thirrje që instancat e ndihmës mjekësorë të ndodhen vazhdimisht pranë grevistëve.
Erion Veliaj, Eduart Hashorva dhe përfaqësues të tjerë të G99-s vizituan dje punëtorët e Gërdecit dhe u interesuan për gjendjen e tyre shëndetësore, e cila ka filluar të përkeqësohet. G99-a denoncoi mungesën e personelit mjekësor të gatshëm për t’iu gjendur afër grevistëve, një detyrim ligjor që kanë strukturat shtetërore në këto raste. Erion Veliaj u bëri thirrje politikanëve që përfaqësojnë zonën të gjenden afër banorëve në këto ditë të vështira. “Këta njerëz paguajnë taksat që të përfaqësohen dhe jo të keqpërfaqësohen. Të gjitha këto kërkesa që kanë këta punëtorë janë të barabarta me një aktivitet, me një festë që bëhet nën siglën ‘Shqipëria në NATO’. Ky shtet dhe familja që e drejton atë u detyrohet disa shpjegime këtyre njerëzve. Pjesa politike mund të presë, ajo që nuk mund të presë është ana njerëzore. Prandaj duhet që urgjentisht këtyre njerëzve t’u jepet ndihmë mjekësore. Unë e kuptoj që kjo qeveri po përgatitet që të lërë pushtetin, por kjo nuk është një arsye e mirë për ta lënë atë me turp. Dhe ky është turpi më i madh që mund të ndodhë”, - tha Veliaj.
10 Qershor 2008