E Shtunë, 31 Tetor 2026

Islami: “Si duhen bërë financimet e fushatave elektorale”



Deputeti i Partisë Socialiste, Kastriot Islami, tha se grupi i ekspertëve të PS-së për reformën zgjedhore po u kushton një rëndësi të veçantë propozimeve përsa i përket financimit të partive në fushatat elektorale. Islami tha se po synohet realizimi i një procesi financimi që të jetë sa më i thjeshtë, sa më transparent dhe i arsyeshëm. “Një nga çështjet e reformës zgjedhore, natyrisht, do të jetë edhe çështja e financimit të fushatave elektorale që në një mënyrë apo në një tjetër është e lidhur edhe me mënyrën e financimit të partive. Deri tani mund të them që kjo çështje është në diskutim, por brenda partive politike, përsa i përket PS-së, në grupin që po merret me çështjen e reformës zgjedhore. Parimet kryesore janë që të jetë një financim sa më i thjeshtë, të jetë një financim i arsyeshëm, në kuptimin e termave buxhetorë, që të mos rëndojë në xhepat e shqiptarëve; e treta, të jetë një buxhetim transparent. Natyrisht, nëse do të shikohet i mundur të realizohet edhe prekja e financimit të partive politike, meqenëse fushatat elektorale janë vetëm një pjesë e vogël financimi për to”, - tha Islami. Ai deklaroi se shpresohet që brenda kësaj legjislature parlamentare të hartohet Kodi i Ri zgjedhor, në bashkëpunim dhe me konsensus nga të gjitha forcat politike.

10 Qershor 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›