ZMQ: Kodi Zgjedhor nuk është Kodi i Da Vinçit
Zyra për Mbrojtjen e Qytetarëve shprehu shqetësimin se mungesa e kohës për diskutimin e këtij kodi hedh hije dyshimi për gjithë procesin e hartimit të tij. Ajo kërkon bërjen publike të projekt-kodit. Nëpërmjet një njoftimi për shtyp të shpërndarë nëpërmjet e-mail-it, ZMQ-ja shprehet se “mungesa e kohës për diskutimin e këtij kodi hedh hije dyshimi për gjithë procesin e hartimit të tij dhe ngre pikëpyetje serioze për zgjedhjet e vitit 2009”. "Në një kohë kur zgjedhjet e ardhshme konsiderohen si mjaft të rëndësishme dhe test i Shqipërisë për integrimin e saj euroatlantik dhe në BE dhe se miratimi i Kodit Zgjedhor është i mirëpritur dhe shënon një hap përpara në realizimin e reformave kyç të vendit, por, - vazhdon njoftimi, - mënyra se si po procedohet me kodin zgjedhor shkon ndesh me praktikat e një vendi demokratik". ZMQ-ja kërkon bërjen publike të kodit në mënyrë që grupet e interesuara të kenë mundësi të njihen dhe të kenë kohën e mjaftueshme për të dhënë sugjerimet e tyre. “ZMQ-ja ka hulumtuar të gjitha uebsajtet e qeverisë apo Kuvendit dhe ende nuk e gjen të zbardhur apo të publikuar projekt-kodin zgjedhor. Në këtë procedurë, Zyra për Mbrojtjen e Qytetarëve vëren me shqetësim se nuk janë garantuar asnjë nga format e përfshirjes së publikut dhe informimit të tij për këtë proces të rëndësishëm. Duke iu referuar nenit 23 të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë, “e drejta e informimit është e garantuar” dhe “kushdo ka të drejtë që në përputhje me ligjin të marrë informacion për veprimtarinë e organeve shtetërore”. ZMQ-ja beson se transparenca dhe debati në një klimë të qetë politike janë kushte kryesore për të siguruar klimën e mirëbesimit jo vetëm mes aktorëve politikë, por edhe mes shoqërisë civile e publikut.