E Diel, 1 Nëntor 2026

Grevistët janë të marrë peng nga Edi Rama

Situata johumanitare e tejzgjatur po i tregon opinionit publik se jemi në kushtet e një pengmarrjeje të vërtetë në mes të Tiranës. S’lejohet asistenca mjekësore, nuk tregohen gjeneralitetet e grevistëve dhe nuk lejohen kamerat që të faktojnë vullnetin e lirë të qytetarëve për t’u ngujuar në bulevardin kryesor të kryeqytetit. Praktika e mbajtjes anonime të gjeneraliteteve zbatohet vetëm tek celulat terroriste, por kjo taktikë s’duhet lejuar të mbijetojë gjatë para syve të të gjithë shqiptarëve

Meqenëse edhe dje ka munguar deklarata për mbylljen e grevës-autogol, megjithëse po shtohen sinjalet se shumë grevistë janë në rrezik për jetën, tashmë opinioni publik po merr vesh se kemi të bëjmë me një pengmarrje të vërtetë, m’u në qendër të Tiranës, për interesa ngushtësisht personale. Edi Rama po akuzohet si pengmarrës, pas mbylljes me forcë në disa çadra ndërmjet selisë së Kryeministrisë dhe Kuvendit të 22 deputetëve dhe 170 grevistëve, për të tetën ditë radhazi. Prej më shumë se një jave pra, Edi Rama i mban të izoluar socialistët në disa çadra të ngritura në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, duke mos i lejuar as të komunikojnë me familjarët, as me mjekët e as të dalin e të flasin me zërin e tyre, që të paktën të konfirmojnë vullnetin e lirë të tyre, për të qendruar në shesh. Jemi në kushtet e një pengmarrjeje klasike, për shkak se ngërçi dhe situata johumanitare po zgjatet pa mbarim, ndërkohë që mbahet e papublikuar edhe lista e të ngujuarve. Atyre s’u dihen gjeneralitetet dhe ka rrezik se edhe ndonjë fatkeqësi mund të mos merret vesh, nëse për këtë nuk do të ekzistojë vullneti sovran i kryetarit të PS.
Ngujimi aty i deputetëve dhe i militantëve socialistë ka sjellë reagimet e para të të afërmve të tyre dhe të qytetarëve të ndryshëm, të cilët shohin me dyshim për ditë e më tepër, keqpërdorimin e bashkëqytetarëve në burgun e bulevardit, për tekat personale të Edi Ramës, Gramoz Ruçit, apo edhe të Spartak Ngjelës. Revolta e familjarëve të grevistëve shkon deri aty sa po e akuzojnë Edi Ramën si një njeri të rrezikshëm, i cili po vë në rrezik jetën kolektive të dhjetëra qytetarëve të thjeshtë, por edhe të 22 deputetëve.
Zemërimi i parë për familjarët vjen në një kohë kur kanë kaluar 9 ditë nga nisja e grevës së urisë, ndërsa gjithçka po shkon jashtë parashikimeve. Edi Rama gënjeu grevistët duke u thënë se do jenë aty vetëm për pak ditë, kundrejt pagesës, por që realisht kaluan shumë ditë dhe ai ka ende ndër mend t’i mbajë aty, të izoluar.
Alarmi: Të publikohet lista zyrtare e grevistëve, autoritet rrisnin shqetësimin/Rritet shqetësimi në radhët e opinionit publik, mbi qytetarët që mbahen dhunshëm në grevë urie në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”.
Mungesa e transparencës dhe injorimi i informacioneve se mes grevistëve ka të sëmurë me sëmundje të rënda shëndetësore, ka alarmuar autoritetet përgjegjëse, duke sjellë kështu reagimet e para. Edi Ramës i është kërkuar publikimi i listës së grevistëve, për të bërë të mundur zbardhjen e personave që vazhdojnë të mbahen në burg dhe diagnostikimin shëndetësor të tyre, pas konstatimeve se një pjesë e tyre vuajnë nga sëmundje të rënda. Por, në kushtet kur nga PS nuk ka ardhur asnjë përgjigje mbi këtë komunikim serioz, institucionet ligjore kane dhënë alarmin dhe njëherazi kanë paralajmëruar se do të ndërhyjnë në mbrojtje të jetës së qytetarëve. Nga ana tjetër, Edi Rama, duket i vendosur për të çuar deri në fund çmendurinë e tij, të flijimit të njërit apo disave, të atyre që Spartak Ngjela i quajti para pak ditësh “qelbësira grevistë”.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›