Artistët, peticion Edi Ramës: Pushteti nuk fitohet me anarki, leri shqiptarët të shkojnë në “Shtëpinë” e tyre, në familjen evropiane
“Zoti Rama hiqeni priten! Lërini shqiptarët të mbërrijnë në SHTëPI”, është apeli publik i intelektualëve, duke shtuar se “ne të gjithë e dimë se përpjekjet për të fituar pushtetin me anën e kaosit dhe anarkisë janë rrugë pa krye, janë standarde të diktaturave dhe rebelimeve të dënueshme botërisht”
Një grup intelektualësh i janë drejtuar dje publikisht Edi Ramës, përmes një peticioni, që të heqë dorë nga tendencat e krijimit të anarshisë mbarëpopullore, pasi siç shprehen ata, pushteti nuk merret dot me anë të kaosit dhe rebelimeve. Plot 40 intelektualë, figura të shquara të artit dhe skenës, vlerësojnë se ka ardhur koha që ata shqiptarë që vazhdojnë të mbahen me dhunë në bulevardin e kryeqytetit, të rikthehen në shtëpitë e tyre, e njëherazi i bëjnë thirrje Ramës, të mos tentojë të ndërpresë destinimin e shqiptarëve në rrugën e tyre drejt “Shtëpisë” së përbashkët, siç është familja evropiane. “Zoti Rama hiqeni priten! Lërini shqiptarët të mbërrijnë në SHTëPI”, është apeli publik i intelektualëve, duke shtuar se “ne të gjithë e dimë se përpjekjet për të fituar pushtetin me anën e kaosit dhe anarkisë janë rrugë pa krye, janë standarde të diktaturave dhe rebelimeve të dënueshme botërisht”. “Fatkeqësisht ne nuk arritëm ta bënim një rebelim të tillë në kohën e diktaturës së kuqe. Ne nuk arritëm të vetëflijoheshim atëherë kur do të kishte kuptim. Ne të gjithë arritëm këtu duke ecur nëpër kalldrëmin e këtij tranzicioni kaq të gjatë. Ne kemi ecur dalëngadalë duke e tronditur herë pas here besimin e të gjithë atyre që na mbështetën. Por… më në fund… ne tani jemi në prag”, shkruajnë në deklaratën e tyre intelektualët. Njerëzit e shquar të artit dhe skenës, i kujtojnë Edi Ramës se në ditën kur 12 Ministra të Jashtëm të Bashkimit Europian mbështetën publikisht heqjen e vizave për Shqipërinë, një grusht figurash politike dhe militantësh të Partisë Socialiste u ndrynë në një grevë urie në zemër të Tiranës. “Ka shumë kohë që në botën e qytetëruar qëllimi nuk e justifikon më mjetin. Nuk ka më gjasa që një politikan a grup a parti politike t’i kundërvihet interesit dhe aspiratave të popullit të vet, pikëmbërritjes, syzimit dhe synimit të kombit. Që nga koha e Arbrit, fati i mbrapshtë historik i ka shkëputur shqiptarët nga familja e tyre evropiane, i ka larguar nga “Shtëpia” e tyre, i ka përplasur ata deri në brigjet e Azisë së Largët, i ka izoluar nga bota. Për më shumë se gjashtë shekuj, shqiptarët kanë jetuar si nomadë. Zoti Rama, Hiqeni pritën! Lërini shqiptarët të mbërrijnë në SHTëPI! Mos u bëni antiheroi i rradhës, i kohëve moderne! As ju nuk e vrisni dot destinimin tonë!”, përfundon deklarata publike e intelektualëve e shoqëruar kjo me firmosjen e një peticioni, kundër tendencave të Edi Ramës për të mbajtur të izoluar jo vetëm ata 22 deputetë dhe 170 socialistë, por të gjithë shqiptarët dhe Shqipërinë në tërësi nga bota e jashtme.
...