E Shtunë, 31 Tetor 2026

Do të asfaltojmë të gjitha rrugët e bregdetit

Kryeministrin Berisha inauguron fillimin e punimeve për rrugë Tale-Lezhë

Premtimi i qeverisë për përmirësimin e infrastrukturës rrugore po përmbushet dita-ditës. Tale-Lezhë është rruga e re bregdetare, e cila sapo ka përfunduar rikonstruksionin e saj.
I pranishëm në inaugurimin e këtij segmenti me gjatësi 9.5 km, kryeministri Sali Berisha, ka rikujtuar edhe një herë premtimin se brenda 2010, të gjitha rrugët që të çojnë në bregdet do të jenë të standardeve më të mira.
“Ata të cilët kanë qenë skeptikë dhe gjysmë mosbesues ndaj këtij projekti të madhe i ftoj të ndjekin Sali Berishën, se çdo javë nga një rrugë do të inaugurojmë. Të vijnë së bashku me mua dhe të inaugurojnë sepse jemi të angazhuar që në këtë vend, potencialet turistike, ti shfrytëzojmë në maksimum dhe unë jam këtu për tu zotuar para jush se siç ka qenë premtuar, brenda vitit 2010 nuk do të ketë rrugë të paasfaltuara nga Ksamili në Velipojë. çdo rrugë që zbret drejt detit do të jetë rrugë e standardeve më të mira”- tha Berisha.
Kreu i qeverisë bëri të ditur se së shpejti në këtë zonë do të fillojnë të tjerë projekte të rëndësishme. Berisha informoi banorët se është përfunduar tërësisht projekti i një prej rrugëve më turistike më të bukura të vendit, rruga që lidh Lezhën me Ulqinin, rrugë e cila kalon deri në Velipojë.
“Javët që vijnë ne do të inaugurojmë së bashku rrugën e Patokut, e cila zbret edhe ajo deri në det. Fillimin e punimeve të rrugës tjetër që lidh Lezhën me Bunën, pra ne i qëndrojmë projektit tonë. Sapo bisedova me autoritet vendore që të ndërtojmë çdo kanal dhe çdo burim uji. Ne do të bëjmë çdo gjë që ju të nxirrni maksimumin e prodhimit nga tokat tuaja”, shtoi më tej kryeministri Berisha.
Shefi i ekzekutivit garantoi edhe njëherë shqiptarët për lëvizjen e lirë në evropë dhe marrjen e statusit kandidat për në BE. Berisha theksoi se qeveria ka përmbushur të gjitha detyrimet e ndërkombëtarëve dhe se pret prej tyre aprovimin e kërkesave të Shqipërisë, në mënyrë që qytetarët shqiptarë të lëvizin të lirë në hapësirën “Schengen” dhe vendi i tyre të jetë kandidat për anëtarësim të plotë në Bashkimin Evropian.
“Ky vit është një vit i madh për ne. është një vit i madh për të gjithë shqiptarët. Këtë vit ne do të fitojmë të drejtën të lëvizim të lirë në mbarë Evropën. Kjo përbën një arritje historike, të pritur në shekuj nga shqiptarët. Këtë vit ne dorëzuam në Bruksel, librin më të madhe të Shqipërisë dhe shqiptarëve për statusin e kandidatit. Libri që dorëzuam në Bruksel është libri i kontributeve tuaja, i mundit, i djersës, përkushtimit tuaj, është dhe libri i ëndrrave tuaja, i ëndrrave të fëmijëve tuaj për një Shqipëri evropiane. Unë ju garantoj ju, se qeveria do të bëjë çdo përpjekje që çdo ditë, Shqipëria të marrë pamjen që meriton, Shqipëria të marrë pamjen e saj evropiane dhe evropiane është vetëm një Shqipëri, e cila i ofron qytetarëve të saj rrugë moderne, furnizim me ujë, shkolla moderne, shërbim shëndetësor modern. Evropiane është Shqipëria, qytetarët e së cilës lëvizin të lirë, në mbarë Evropën”, deklaroi më tej, kryeministri Berisha.
Kryeministri shoqërohej në këtë ceremoni dhe nga ministri i Punëve Publike, Sokol Olldashi dhe zytarë të lartë të pushtetit vendor.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›