E Shtunë, 31 Tetor 2026

“Edi Rama të bëjë transparencën e gjendjen shëndetësore të grevistëve”

Reagon Partia Demokratike

Partia Demokratike thotë se Edi Rama do të mbajë përgjegjësi të veçanta ligjore, në rast të komplikimit të shëndetit të grevistëve. Sipas selisë blu, kryesocialisti ka shkelur çdo konventë dhe ligj “Për grevat”, duke dhunuar deputetët dhe simpatizantët partiakë në disa çadra të improvizuara në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”.
Kryesocialisti dhe njerëzit e tij për të disatën ditë me radhë kanë ndaluar hyrjen e shërbimeve shëndetësore në ambientet e grevës së urisë.
“Edvin Kristaq Rama dhe Gramoz Ruçi vazhdojnë të bllokojnë shërbimin zyrtar shëndetësor për grevistët, duke u dëshmuar kështu shqiptarëve se çfarë janë të aftë të bëjnë në kurriz të shëndetit të njerëzve bllokmenët e rinj me në krye Edi Ramën.
Me këtë qëndrim i kujtojmë zotit Rama se po shkel rëndë jo vetëm ligjet e vendit dhe Kushtetutën, e cila u garanton shërbim shëndetësor gjithë qytetarëve në nevojë të këtij vendi, por po shkel njëkohësisht Konventat e Gjenevës dhe Vendimet e Gjykatës së Strasburgut mbi çështjet e grevës së urisë dhe të burgosurve”, u shpreh zëdhënësja e Partisë Demokratike.
Sipas saj, PD i kërkon zotit Rama të bëjë transparencë urgjente, të lejojë ekipet zyrtare shëndetësore të kontrollojnë shëndetin e grevistëve, të mos ketë frikë nga transparenca e gjendjes shëndetësore të tyre sikundër paralajmëron se për çdo cenim të shëndetit të grevistëve përgjegjësia ligjore do të jetë e tij në radhë të parë por dhe e atyre militantëve mjekë që nuk lejojnë as kamerat të filmojnë të sëmurët që ata deklarojnë se i kanë nën mjekim.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›