Grinden, plumba mbi babë e bir

SHKODËR/ Mirash Pjetri, 17 vjeç, ka qëlluar mbi Ndue e Zek Tonajn, duke lënë të vdekur këtë të fundit
Sipas policisë së Shkodrës dy familjet kishin prej kohësh një konflikt për radhën e lëshimit të ujit te mulliri
SHKODËR - Grindja për ujin që lëshohet për vënien në punë të mullirit për bluarje ka sjellë vrasjen e 33-vjeçarit Zek Tonaj dhe plagosjen e babait të tij, Ndue Tonaj. Ngjarja ka ndodhur në qendrën e komunës Shalë, në zonën e thellë malore të Dukagjinit në Shkodër, në fshatin Breg Lumi.
Gjithçka ka ndodhur pasditen e së dielës, ndërsa banorët e fshatit Breg Lumi kishin dalë nga kisha dhe po bënin vizita urimi për festën e Pashkëve. Ndue Tonaj, 69 vjeç, dhe djali i tij Zeka, 33 vjeç, kanë qenë duke lëvizur nga kisha në drejtim të banesës së tyre kur janë konfliktuar me 17-vjeçarin Mirash Pjetri (Hasanaj), i cili ka shkrepur armën në drejtim të tyre dhe më pas është larguar.
Ngjarja
Mësohet se konflikti mes dy familjeve kishte ditë që kishte nisur dhe lidhej me radhën e lëshimit të ujit tek mulliri që përdoret në fshat për bluarjen e drithit. Mulliri i fshatit Breg Lumi përdoret nga banorët sipas një grafiku për të kryer bluarjen e drithërave dhe funksionon me anë të vënies në lëvizje të helikës nga uji.
Grindja mes dy familjeve ka nisur lidhur me radhën e lëshimit të ujit tek mulliri dhe përdorimit të tij, pasi secila palë pretendonte se tjetra kishte shkelur rregullin duke hyrë në ditët që i takonin secilës prej tyre. Pasi janë konfliktuar me fjalë, baba e bir kanë vazhduar rrugën, ndërsa 17-vjeçari ka shkuar në banesën e tij jo larg vendit të ngjarjes dhe ka marrë një armë zjarri automatik. Me të ai ka qëlluar drejt Ndue e Zek Tonajt që po ecnin tek Ura e Re duke vrarë Zekën dhe plagosur Ndue Tonajn.
Arrestimi
Largësia e madhe dhe mungesa e mjeteve të komunikimit ka bërë që policia të marrë njoftim me vonesë për ngjarjen, e cila ka ndodhur rreth orës 19:45 të së hënës. Njoftimi është marrë kur gjatë udhëtimit me një mjet privat që bënte transportin e të plagosurit drejt spitalit të Shkodrës, është mundur të kapen linjat e telefonisë së lëvizshme në një nga segmentet e aksit rrugor.
Policia ka udhëtuar për në vendngjarje dhe ka bërë të mundur identifikimin e autorit dhe zbardhjen e ngjarjes. Mirash Pjetri (Hasanaj) 17 vjeç është kapur nga policia mesditën e së hënës, ndërsa ishte fshehur në një banesë të braktisur në zonën e fshatit Nicaj, po në komunën Shalë, së bashku me armën e krimit. Sipas policisë, 17-vjeçari nuk ka bërë rezistencë dhe e ka pranuar autorësinë e krimit. Për kapjen e tij janë angazhuar dhe efektivat e Forcave të Ndërhyrjes së Shpejtë të Shkodrës.
Viktima Zek Tonaj ishte i pamartuar dhe sipas të njohurve të familjes ka edhe një vëlla e 5 motra, ndërsa dy vëllezër i kanë vdekur më parë. Varrimi i tij do të bëhet të martën në fshatin Grudë e Re në Shkodër.