E Shtunë, 31 Tetor 2026

Grindet me bashkëfshatarin,i djeg mullarin

26/11/2009   Ishin grindur një ditë më parë për motive banale. I dogji 7 kv ushqim për bagëti

KORÇE- Ka marrë hak ndaj bashkëfshatarit për një grindje banale, por më tepër ka ndëshkuar bagëtitë e këtij të fundit. Ngjaraj është regjistruar në fshatin Pocest të rrethit Korçë ku policia ka prangosur Nevion H., pasi ai ka shkatërruar me zjarr rreth 7 kv bazë ushqimore për bagëtitë.

“Hakmarrja”

Burimet policore të Korçës kanë sqaruar se kanë arrestuar Nevion H. 51 vjeç, pasi ka djegur të gjithë ushqimin për bagëti të bashkëfshatarit të tij K. Lipo pas një grindjeje të shënuar 24 orë më parë. Sipas këtyre burimeve, thuhet se dy shtetasit ishin përplasur verbalisht në prani të disa dëshmitarëve, por pa degjeneruar në dhunë fizike. Por mëngjesin e një ditë më pas K. Lipo ka konstatuar se i gjithë ushqimi që kishte rezervuar për dimër për bagëtitë që mbante ishte shkrumbuar. Pas padisë në polici, efektivët kanë prangosur si autor të kësaj ngjarjeje Nevion H. Në lidhje me këtë ngjarje burime të policisë sqaruan se aktualisht është zbuluar autori i kësaj ngjarjeje, ku ndaj tij (Nevion Hoxhallit), tashmë janë kryer veprimet procedurale, në gjendje të lirë për veprën penale të “shkatërrimit të pronës me zjarr me dashje”, të parashikuar nga neni 151 i Kodit Penal. Burimet saktësuan gjithashtu se ngjarja kishte zënë fill pas një konflikti që Hoxhalli kishte pasur me bashkëfshatarin e tij, K. Lipo. Nga hetimet e kryera ka rezultuar se Lipos, për shkak të zjarrvënies i ishte djegur një sasi bazë ushqimore prej 7 kv.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›