E Shtunë, 31 Tetor 2026

Grindet me vjehrrin, e qëllon me dy plumba

Policia e Durrësit ka shpallur në kërkim 36-vjeçarin nga Tirana Olsi Karagjozi, i cili u largua nga vendngjarja


DURRËS - Në fshatin Çezmelie që ndodhet në periferi të qytetit të Shijakut, gjatë orëve të afrimit të mbrëmjes së të dielës, në një banesë janë dëgjuar të shtëna arme dhe klithma të shumta. Një person ka dalë me shpejtësi nga shtëpia dhe është larguar. Fqinjët që kanë shkuar për të parë se ç'ka ndodhur dhe për të dhënë ndihmën e rastit e kanë gjetur të zotin e shtepisë të zhytur ne gjak dhe të rënë përmbys.


Ata kanë parë se ai kishte plagë të rënda në gjoks nga të cilat rridhte gjak dhe e kanë nisur me urgjencë në spital për t'i dhënë ndihmën e mundshme mjekësore. Gjithashtu është lajmëruar policia, e cila ka mbërritur menjëherë në vendngjarje. Policia ka bërë verifikimet e duhura dhe ka pyetur edhe pjesëtarët e familjes mbi ngjarjen.


Nga pyetjet e bëra ka rezultuar se autor i goditjes me armë ishte miku i shtëpisë, Olsi Karagjozi nga Tirana, i cili kishte ardhur për drekë në banesën e shtetasit B.C. të cilin e kishte vjehërr, pasi kishte kohë që bashkëjetonte me vajzën e tij në Tiranë, në lagjen e Laprakës.


Ngjarja


Sipas informacionit të policisë, pasi kanë ndenjur normalisht disa orë në mikpritjen e të zotit të shtëpisë dhe familjes së tij, dhëndri ka kërkuar që të niseshin për në Tiranë, por vajza me të cilën bashkëjetonte ka kërkuar që të rrinin edhe pak. Kjo ka shërbyer edhe si bërthama e konfliktit të gjakosur në këtë banesë.


Ai është grindur me vajzën dhe grindja ka pasur tone të larta, të cilat nuk i kanë pëlqyer të zotit të shtëpisë që ka ndërhyrë për ta qetësuar situatën. Po duke pasur edhe efektet e alkoolit si nxitës, konflikti ka degjeneruar, pasi B.C. nuk i ka gëlltitur sharjet në adresë të së bijës nga dhëndri bashkëjetues.


Në këtë rast, policia nuk jep detaje se si ka evoluar debati dhe se si ka dalë në skenë pistoleta, e cila sipas bluve mbahej pa leje nga mysafiri tiranas. Por ai e ka qëlluar vjehrrin e vet dy herë në gjoks dhe është larguar me shpejtësi nga banesa.


Policia


Policia ka bërë me dije se është bërë shpallja në kërkim e shtetasit 36-vjeçar Olsi Karagjozi, lindur e banues në Laprakë Tiranë. Sipas njoftimit të saj, policia ka bërë me dije se shpallja në kërkim e tij u bë për arsye se dyshohet se më datë 04.07.2010, rreth orës 19:30, në fshatin Çezmelie Shijak, në banesën e vjehrrit të tij, shtetasit B.C., 56 vjeç, për motive të dobëta, ka qëlluar me armë zjarri pistoletë në gjoks këtë të fundit, duke i shkaktuar plagë të rënda dhe më pas është larguar nga vendi i ngjarjes. I dëmtuari është dërguar në Spitalin Ushtarak Tiranë ku edhe aktualisht ndodhet jashtë rrezikut për jetën.


Në vendin e ngjarjes u kryen gjithë veprimet e para hetimore. Policia deklaron se nga ana e saj po punohet për kapjen e autorit të ngjarjes. Materialet për veprën penale të "vrasjes me dashje të mbetur në tentativë" dhe "armëmbajtjes pa leje" i kaluan për ndjekje Prokurorisë së Rrethit Durrës.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›