Sarandë, kokë më kokë për 30 milionë euro
Krerët e institucioneve lokale mblidhen për të diskutuar mbarëvajtjen e sezonit turistik
Shtimi i përdoruesve të drogës, zaptimi i hapësirave në plazhe nga individë të ndryshëm për arsye fitimi, motorët e ujit, muzika e lartë, plehrat në ambiente publike etj., ishin disa prej problematikave që u diskutuan në një takim në nënprefekturën e Sarandës, me drejtues institucionesh e të zgjedhur vendorë, drejtuar nga nënprefekti Gjergji Mano. Temë e takimit ishte mbarëvajtja e sezonit turistik dhe masat që duhen ndërmarrë për një normalitet në funksionimin e disa sektorëve.
ga diskutimet e mbajtura nga drejtues të ndryshëm institucionesh u vu re dhe ana e pasme e turizmit në Sarandë, ajo problematikja. Konkretisht, nga kryekomunani i Lukovës, Vladimir Kumi, u bë e ditur se inidividë të ndryshëm parcelizojnë në mënyrë antiligjore hapësira plazhesh, duke i privatizuar e duke përfituar prej tyre të ardhura të paligjshme, ndërkohë që dikush, duke ndjekur rrugën ligjore, shpenzon miliona për investime serioze, siç ka qenë rasti i një biznesmeni, i cili ka derdhur 1.5 milionë euro për një plazh me standarde, në vendin e quajtur shpella.
Nga ana tjetër, shefi i Komisariatit të Policisë së Rendit në Sarandë, Besim Palamani, foli për një shtim të shpërndarësve dhe përdoruesve të drogës gjatë sezonit, që sipas tij vijnë më së shumti nga rrethet.
Si masë për sezonin, ai përmendi shtimin e efektivave policorë. Problem tjetër që u shtrua për diskutim, ishte dhe "terrori" akustik prej muzikës së lartë nëpër lokale nate, ndërkohë që jo të gjithë pushuesit duan të bëjnë jetë nate. Për këtë fenomen u tha se do të vendoset një orë limit.
Motorët e ujit, të trajtuar si një rrezik potencial për plazhistët, u bënë temë e diskutimeve dhe propozimeve në takim. Kryebashkiaku Gjoka kërkoi përcaktimin sa më shpejt të kufizimit të sipërfaqes ujore për motorët e ujit. U fol dhe për shërbimin e Rojës bregdetare, ku nënprefekti Mano kërkoi nisjen menjëherë të funksionimit të Rojës, duke thënë se janë dhënë rreth 7,8 milionë lekë për këtë shërbim.
Ndërsa shefi i Higjienës në Sarandë, Jorgo Mërtiri, ngriti si problem të madh mungesën e efikasitetit në tërheqjen e plehrave nga vendet publike. Turizmi është sektori ku sillet e përsillet e gjithë jeta ekonomike, sociale e shoqërore në Sarandë. Sipas kryebashkiakut Gjoka, brenda një sezoni turistik, në Sarandë qarkullojnë mbi 30 milionë euro.