E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kuteli pa burokratë përqark

Përurohet monumenti i Mitrush Kutelit, 43 vjet pas vdekjes, i realizuar nga Muntaz Dhrami, i vendosur në breg të liqenit, përballë monumentit të Poradecit. Ministri i Kulturës mungoi në këtë takim


Përurohet në prani të familjarëve, miqve, njerëzve të letrave, përfaqësuesve të pushtetit vendor, monumenti i Mitrush Kutelit, realizuar nga skulptori Muntaz Dhrami. Në këtë takim ra në sy mungesa e Ministrit të Kulturës dhe njerëzve të tjerë të kulturës, të ftuar në ceremoni.


Monumenti i Kutelit, realizuar 43 vjet pas vdekjes, është vendosur në breg të liqenit, përballë atij të Lasgush Poradecit. Duket sikur tanimë do të dialogojnë përgjithmonë mes tyre.


Kryetari i Bashkisë, Artan Shkëmbi e përshkroi monumentin si "një vepër dinjitoze e realizuar nga skulptori Muntaz Dhrami, që e falënderojmë për të dy monumentet e realizuara mjeshtërisht".


Djali i shkrimtarit, Pandeli Pasko që fillimisht falënderoi pjesëmarrësit në ceremoni, theksoi se historia jonë ka filluar t'u kthehet vlerave të vërteta. Pasko kujtoi në këtë takim një amanet të t'et: "Duajeni shqiptarinë dhe dheun e saj."


Në vazhdim një sesion shkencor në Pallatin e Kulturës "Lasgush Poradeci", me njohës të veprave të Kutelit, foli për vlerat unikale të krijimtarisë së tij. Ky mjeshtër i prozës shqiptare na ka lënë një prozë krejt të veçantë e cila njihet si "shkolla kuteliane". I rritur midis bukurive të liqenit, të qytezës së tij mbi ujë, Kuteli i fali prozës shqiptare perla të përjetësuara tek "Pylli i gështenjave", "Lumi i madh", "Xha Brahua i e Shkumbanores", "Netët e Kollozhekut", "Balta Shqiptare", "Poem i Shën Naumit".


Dramatugu Mirosh Markaj, nip i Kutelit, kujtoi në ceremoni se leximet e para të prozatorit lidhen me Naimin, Çajupin, Gramenon, Qirjazin, Lumo Skëndon dhe më vonë me Nolin. I pari ishte Naimi që i "fali dashurinë e gjuhës, të tokës, adhurimin për Skënderbeun, mallëngjimin për Abaz Alinë".
"Prandaj, gjithmonë i falem Naimit", shkruan ai pas 50 vjetësh në kujtimet e tij.


Markaj kujtoi edhe momente të vështira për autorin, ato të burgosjes nga regjimi komunist.
"Pas daljes nga burgu", vijon më tej Mirosh Markaj, "Kuteli ishte si një pe i hollë që shumëkush mendonte se mund ta këpuste kur të donte".
Takimi u mbyll me interpretimin e monodramës "E madhe gjëma e mëkatit" nga aktori Ligoraq Riza.


Mitrush Kuteli u lind më 13 shtator 1907 në lagjen karakteristike të qytetit të Pogradecit, në Goricë. Pas shkollës fillore në Pogradec, i ati i siguroi një bursë për shkollën tregtare të Selanikut. Në vitin 1931, Mitrushi udhëtoi për në Bukuresht, ku vazhdoi studimet dhe diplomua në shkencat ekonomike.


Më 1934 merr dekoratën për Shkenca Ekonomike. Në vitin 1932, Kuteli, në pozicionin e kryetarit të studentëve shqiptarë në Rumani mbledh ndihma për të botuar poezitë e bashkëqytetarit të tij Lasgush Poradecit. Arriti t'i botonte librin e tij të parë më 1932, "Vallja e Yjeve".


Krejt papritur, më 16 maj 1947, ai arrestohet dhe pas 7 muajsh në hetuesi, i jepet dënimi me 5 vjet heqje lirie, për agjitacion e propagandë. Në këtë kohë, humbet veprat që kishte në shtyp, përmbledhjen me tregime "Dashuria e berberit Artan", "Zbulesa e dytë e Pjetër Kulirës nga Liqerasi", drama "Ura", si dhe një roman për burgun e Prishtinës. Në këtë kohë, i shkruante të shoqes që nga burgu:


"Kaq afër jemi, po kaq larg
Të lutem mos më prit
Ne ndajmë terr rreth e qark
Dhe yll për mua s`ndrit"
Pas burgut, u mor më shumë me përkthim. Kuteli ishte një përkthyes i përsosur i Gogolit, Turgenjevit, Pushkinit, Gorkit, Tolstoit, Fadajevit, Shollohovit, poezive të Elyarit dhe Nerudës.
Vdes më 4 maji 1967. Mbi epitaf të varrit të tij shkruhet:
"O ju, që mbeti më pas në jetë
Të fle më lini, të fle i qetë
Harresën dua ...
Këtu jam mirë ...
...
O ju që mbeti pas në jetë ,
Bini tingullit siç dini vetë ...
Askush nuk iu mban dot dorën kurrë
Hidhni gurë, hithni gurë!


Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›