E Shtunë, 31 Tetor 2026

Protestojnë kundër OSBE-së

Dhjetëra punëtorë të shtypshkronjës “Rilindja” protestuan sot në shenjë pakënaqësie pse OSBE-ja e shfrytëzon parkingun e kësaj ndërmarrjeje, që nga viti 1999, pa paguar asnjë cent.

Protesta, e cila është organizuar nga Sindikata e Pavarur e kësaj shtypshkronje, ka kaluar e qetë.

Sekretari i Shtypshkronjës “Rilindja”, Avdyl Alaj, ka thënë se OSBE-ja, që prej përfundimit të luftës, e shfrytëzon parkingun e kësaj shtypshkronje, e cila përfshin rreth 6000 metra katrorë.

“Kjo është hera e dytë që punëtorët e ‘Rilindjes’ protestojnë për këtë çështje. Herën e parë, kemi pasur disa biseda me përfaqësues të OSCE-së, por kanë qenë të kota deri më tani”, ka thënë Alaj.

Ai ka deklaruar se kërkesa e vetme e punëtorëve të Sindikatës së Pavarur të Shtypshkronjës “Rilindja” është shlyerja e borxhit që OSBE-ja ka ndaj tyre, apo lirimi i menjëhershëm i kësaj hapësire. “Ne kërkojmë ose ta paguajnë qiranë, ose të lirojnë objektin menjëherë. Më nuk ka afat, ne kërkojmë lirimin e menjëhershëm të pronës, nëse nuk duan ta mbajnë me qira. Nëse nuk donë të mbajë me qira, duhet nesër ta lirojë”.

Por ai ka lënë të kuptohet se nëse protesta e tyre nuk merret parasysh, nuk do të ketë ndonjë hap tjetër. “Nëse nuk e lirojnë, çka kemi mundësi të bëjmë, ne në luftë me OSBE-në nuk mund të hyjmë. Ne mundemi në këtë formë të protestojmë, ne nuk jemi ata që hyjmë në luftë as me UNMIK-un, as me OSBE-në. Ne e kërkojmë të drejtën tonë dhe nuk do të ndalemi deri kur të kemi vend për ankesa”, ka thënë Alaj.

Protesta e punëtorëve të Sindikatës së Pavarur të Shtypshkronjës “Rilindja” është përkrahur vetëm nga Agjencia Kosovare e Pronës, pasi ky institucion ka në menaxhim pronën shoqërore.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›