E Shtunë, 31 Tetor 2026

Hashash Lazarati në Kavajë, pranga 6 anëtarëve të bandës

SHKRUAN: Thimi Samarxhiu 27-05-2011 11:25

Tiranë- Gjashtë persona kanë rënë në prangat e Policisë, pasi akuzohen për trafikimin e 26.5 kg lëndë marijuanë. Të arrestuarit janë Ilirjan Feçi, 36 vjeç; Albert Mahmutaj, 18 vjeç; Gëzim Vasi, 21 vjeç; Lorenc Vasi, 18 vjeç; S.H., 16 vjeç dhe Refie Iliazi, 48- vjeçarja nga Durrësi. “Arrestimi i këtyre personave u bë i mundur në sajë të një hetimi disamujor, duke aplikuar metodat speciale të hetimit. Këta persona u kapën në flagrancë në banesën e Ilirjan Feçit, në lagjen nr.2 Kavajë. Gjatë kontrollit të ushtruar nga forcat e policisë në këtë banesë u bë i mundur sekuestrimi i 26.5 kg lëndë narkotike marijuanë” – bën të ditur zëdhënësja e Policisë së Shtetit, Klejda Plangarica. Nga hetimet e policisë mësohet se sasia e lëndës narkotike vinte nga Lazarati dhe, pas magazinimit të saj në Kavajë, droga do të trafikohej jashtë territorit të Shqipërisë. Mësohet se kanë qenë personat nga Gjirokastra ata që kanë bërë të mundur sigurimin e lëndës narkotike dhe më pas transportimin e saj deri në Kavajë.

Ndërkohë, në momentin e arrestimit të tyre, në cilësinë e provës materiale u gjetën dhe sekuestruan 26.5 kg lëndë narkotike e llojit marijuanë; dy automjete të tipeve Audi A3 dhe BMW; një pistoletë me silenciator dhe një sasi fishekësh, të cilat u gjetën gjatë kontrollit të ushtruar në banesën e Refie Iliazit, si dhe një sasi eurosh. “Ndaj personave të sipërpërmendur është marrë masa e arrestit në flagrancë, nën akuzën e kryerjes së veprës penale ‘trafikim i narkotikëve’, si dhe ndaj Refie Iliazit edhe akuza e armëmbajtjes pa leje. Materialet procedurale në ngarkim të këtyre personave do t’i kalojnë për ndjekje të mëtejshme Prokurorisë për Krime të Rënda” – mbyllet njoftimi i Policisë së Shtetit. Nga ana e saj, Policia e Shtetit është duke vijuar hetimet për të identifikuar persona të tjerë, që mund të jenë të përfshirë në këtë linjë trafiku. Ndërkohë, 6 të ndaluarit pritet të përballen me Gjykatën e Krimeve të Rënda, ku dhe do t’u caktohet masa e sigurisë. Arrestimi i gjashtë të implikuarve në këtë linjë të trafikut të marijuanës është akti i fundit në radhën e një sërë veprimesh hetimore, që kanë zbuluar edhe rrjetin e trafikut. Shumica e të arrestuarve, të cilët ishin nga Gjirokastra, janë akuzuar se ishin personat që gjenin hashashin në Lazarat, ndërsa personat e tjerë kishin lidhjet për ta trafikuar atë jashtë Shqipërisë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›