E Shtunë, 31 Tetor 2026

Grindjet e pijes, ekzekuton shokun

Aleksander Ndoja
Nje 31-vjecar, nga qyteti i Rubikut, eshte ekzekutuar mbreme ne sy te vellait te tij. David Perlala eshte vrare brenda nje lokali, ne zemer te qytetit. Burime nga vendngjarja bejne te ditur se viktima kishte tentuar te godiste me sende te forta 27-vjecarin Fatmir Tuci, pas nje grindjeje te meparshme, por ky i fundit eshte treguar me i shpejte. Tuci ka nxjerre pistoleten, qe mbante pa leje, dhe ka qelluar drejt vellezerve Perlala, duke vrare me dy plumba ne trup Davidin, ish-shokun e tij te pijes.
Ndersa qyteti, ku ka nje numer te madh besimtaresh katolike, pergatitej per festen e Krishtlindjes, nje lokal pothuajse ne qender te qytetit eshte pergjakur ne vigjilje te nates se madhe. Eshte festa qe ky qytet e perjeton si rrallekund ne Shqiperi, nen ndricimin vezullues dhe pamjen impozante te Kishes se Shelbuemit, qe gjendet mbi krye te Rubikut. Qindra qytetare ishin mbledhur per koncertin e madh ne pallatin e kultures, kur ne qytet u degjuan krisma armesh.
Deshmitare ne vendngjarje i kane treguar policise se, para se te ndodhte vrasja, brenda ne lokal ka qene duke pire i shpenguar ne nje prej tavolinave te lokalit Fatmir Tuci me disa shoke te tij, ndersa David Perlala se bashku me te vellane e tij ka hyre me pas. Deshmitaret treguan se David Perlala ka hyre me nje shkop te trashe ne dore, me qellim per te goditur Fatmir Tucin. Me te hyre ne lokal, ai eshte drejtuar nga tavolina ku ndodhej 27-vjecari dhe ka filluar te grindet me te.
Policia e Mirdites tha mbreme se Fatmir Tuci ka nxjerre armen, pistolete tip "Makarov", duke qelluar mbi Davi Perlalen me dy plumba ne bark, cka kane sjelle dhe vdekjen e tij, ndersa ka goditur me qyten e pistoletes dhe vellane e Davidit. Pas krimit, ai ia ka mbathur, duke shfrytezuar dhe erresiren e nates. Edhe pse eshte derguar me urgjence per ne spitalin e Rreshenit, 31-vjecari ka nderruar jete, duke mos i shpetuar dot plageve te renda te marre ne trup. Ndersa personi i dyshuar eshte shpallur ne kerkim, policia ka filluar hetimet per te zbardhur motivet qe cuan ne vrasjen e nje nate me pare.
Qyteti pa police, problemet i "zgjidh" kanuni
Uniformave blu iu eshte dashur nje fare kohe per te mberritur ne vendngjarje. Kjo pasi qyteti i Rubikut, ne kuader te reformes ne polici, nuk ka as poste policore. Mungesa e efektiveve ka ndihmuar autorin te largohet nga vendngjarja, duke i lene ne dore policeve te mberritur nga Rresheni vetem ngritjen e postblloqeve ne rruget kryesore. Mungesa e nje poste policie prej disa muajsh eshte kritikuar nga banoret e qytezes, te cilet mbajne mend pranine e shtetit qe ne kohet e mbretit Zog. Banoret kujtojne se qe ne vitin 1938, kur ketu ndodheshin italianet ne shfrytezimin e minieres se bakrit dhe metalurgjise, ka qene edhe nje poste policie. Edhe gjate kohes se komunizmit, posta e policise ka qene ne nje godine te vjeter ne lagjen e hershme te ketij qyteti. Por, ne fundin e viteve '80-te, ketu u ndertua nje poste funksionale policie, e cila shkoi ne numer deri ne 27 persona. Duke qene ne nje pozicion te rendesishem ne rrugen Durres-Kukes, policet e kesaj poste kane te regjistruara ne librat e tyre shume aksione, madje edhe te bujshme, ne kapjen e shume keqberesve, vrasesve, trafikanteve te droges etj. Banoret e Rubikut tregojne se me t'u "shuar" policet ne kete poste, ne qytet filluan edhe vjedhjet, ndersa eshte rritur mikrokriminaliteti. Ndersa situata problematike duket se eshte brenda ne qytet, ku jetojne rreth 8200 banore. Sipas disa prej tyre, banoret i jane kthyer ligjit te hershem "kanunit" per te zgjidhur konflikte te ndryshme qe dalin shpeshhere ne qytet.
Deshmitaret: "E vrau shoku i pijes"
Policia e Mirdites tha dje se ngjarja ka pasur nje pararendje prej me se dy muajsh. Hetimet kane zbuluar se i dyshuari dhe viktima njiheshin ne qytet si shoke te ngushte, pinin dhe rrinin bashke. Por, duket se dhe ngaterresa ka filluar atje nga ka nisur dhe "miqesia", tavolina e pijes. Banoret e qytetit i kane treguar policise se, pas nje grindjeje ne tavoline, Fatmir Tuci me njerez te tjere te tij i rrahin keqas vellane David Perlales, gje te cilen nuk mund t'ia falte per kollaj ky i fundit. Fillimisht i beson ligjit dhe ben denoncimin ne polici per rrahjen e te vellait, por me pas fale disa nderhyrjeve ben terheqjen e denoncimit. Ketu fillon e vihet ne funksion logjika e hakmarrjes, ndaj qe para 4-5 ditesh qe eshte bere terheqja e denoncimit, ai ka menduar te marre hak per te vellane, gje per te cilen, sipas burimeve policore, eshte nisur dhe sot ne lokalin ku gjendej Fatmir Tuci. Por ka qene pa fat, pasi ka rene pre e plumbave te nxjerre nga arma e ish-shokut te tij.
Dhjetera te shoqeruar, kerkohet autori
Grupi hetimor eshte mbeshtetur nga ai i Drejtorise se Lezhes, ndersa jane ngritur postblloqe policore ne tere aksin nacional. Per ngjarjen ne fjale jane shoqeruar disa persona ne polici, si dhe po merren ne pyetje dhjetera persona, deshmitare okulare dhe qe mund te kene dijeni per rrethanat qe cuan ne vrasjen e mbremshme. Nderkohe qe eshte shoqeruar ne polici dhe i vellai i Fatmir Tucit, por jo vete i dyshuari si autori i ngjarjes. Forca te shumta policore jane vene ne levizje ne kete qytet, per te evituar ndonje perplasje te mundshme per gjakmarrje.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›