Gripi A vazhdon të përhapet
Gripi A në Itali ka shënuar viktimën e rradhës. Bëhet fjalë për një grua 45-vjeçare nga Napoli, e cila ndodhej nën kujdesin e mjekëve prej më shumë se 10 ditësh. Shteti fqinj është përfshirë nga një gjendje paniku që pas vdekjes së një vajze 11-vjeçare pak ditë më parë. Disa media në shtetin fqinj thonë krahas infektimit me gripin A, vajza kishte probleme me zemrën. Vetëm në këto ditët e fundit, numri i fëmijëve që janë dërguar në emergjencë ka shënuar një rritje me gati 80 %. Sipas autoriteteve në vend, në gjendje të rëndë janë edhe një vajzë tjetër 12-vjeçare dhe një burrë 79-vjeçar. Ndërkaq, qeveria në Ukrainë ka kërkuar ndihmën e ndërkombëtarëve për ndalimin e përhapjes së gripit A H1N1. Qeveria ka blerë në mënyrë urgjente nga Zvicra 300 mijë doza Tamiflu për të nisur menjëherë kurimin e personave të infektuar. Të dhënat nga Ministria e Shëndetësisë tregojnë se deri tani, gripi A ka shkaktuar 53 viktima. Bëhet fjalë për 185 mijë të prekur, 7400 nga të cilët janë kuruar në spital. Numri i rasteve të konfirmuara e po kështu pjesa më e madhe e viktimave janë regjistruar në krahinat lindore të Ukrainës. Pak ditë më parë, qeveria vendosi të mbyllte shkollat, kopshtet dhe gjithë institucionet në pjesën perëndimore të vendit, dhe hapjen e karantinave në 9 zona, për të shmangur përhapjen e mëtejshme të sëmundjes. Në një situatë gati emergjente paraqitet Rumania. Mësohet se në një hotel rezortin malor të Sinaia, 40 nga 260 studentë rumunë e të huaj janë infektuar me virusin A h1n1. Studentët e infektuar janë izoluar. Por Rumania është vetëm një ndër vendet në Europë që po përballet me një përhapje të shpejtë të gripit A. Autoritetet në Bullgari bëhen gati të shpallin epideminë, për shkak se numri i të infektuarve në muajt që vijnë mund të arrijë në 2 milionë, në një kohë që Polonia e Sllovakia kanë bërë blerje të mëdha të Tamiflusë.