Gripi derrit, 13 raste të reja të dyshuara si mbartës të virusit
Emanuela Sako
Instituti i Shëndetit Publik ka bërë publik raportin për rastet e dyshuara me virusin AH1N1. Specialistët bëjnë të ditur se aktualisht janë 13 persona që dyshohen se janë prekur nga virusi i gripit të derrit. Sipas tyre, rastet do të bëhen publik kur të jepen rezultatet përfundimtare të analizave laboratorike, nga Rumania. Nga personat e dyshuar, 8 prej tyre kanë udhëtuar jashtë vendit, ku pretendohet se është marrë edhe virusi. Personat e dyshuar me virus janë të moshës 16 deri në 61 vjeç. Gjendja e tyre shëndetësore është nën kontroll dhe ata po marrin mjekimin e duhur. Specialistët e ISHP-së, kërkojnë që të gjithë qytetarët që vënë re simptomat e para të drejtohen te mjekët e familjes, pasi kjo është e vetmja mënyrë për të parandaluar përhapjen më të gjerë të virusit.
Dyshimet
Specialistët kanë kryer analizat paraprake pranë laboratorit të Virologjisë në ISHP, ku këta persona kanë rezultuar me gripin A. Konfirmimi pritet të vijë zyrtarisht nga Rumania. Specialistët shprehen se pacientët kanë pasur simptoma të njëjta me rastet e mëparshme, si temperaturë rreth 38 gradë, dhimbje koke, dhimbje fyti, kollë, dhimbje muskulare dhe lodhje. Dy nga personat e prekur janë shtruar në spital, pasi kanë qenë në gjendje më të rëndë se të tjerët dhe një prej tyre po merr mjekimin me Tamiflu. Personat e tjerë po trajtohen në shtëpi, sipas një kure të përcaktuar nga mjekët specialistë. Specialistët shprehen se po pritet ardhja e përgjigjes zyrtare për 5 personat e tjerë, mostrat e të cilëve janë nisur që nga dita e hënë për ekzaminime.
Rastet
Tashmë është periudha më e përshtatshme për përhapjen e virusit, pasi është koha kur numri i emigrantëve që kthehen për pushime nga vende të ndryshme të botës është në rritje. Përhapja e gripit të derrit mund të jetë edhe më i lartë në këtë periudhë, pasi virusi mund të importohet nga vendet e tjera. Specialistët e shëndetësisë presin që gjatë muajit shtator të marrin dozat e Tamiflusë që kanë kërkuar nga OBSH-ja për përballimin e situatës. Ndërsa, vaksina kundër virusit është e shtrenjtë dhe e paktë, prandaj nuk dihet ende nëse vaksina do të mbërrijë në Shqipëri. Dy ditë më parë SHBA-ja nxori në përdorim vaksinën kundër gripit të derrit, e cila është porositur nga mjaft vende të botës. Kura e vetme kundër gripit në vendin tonë, është marrja e Tamiflusë. Ndërsa rastet e lehta, trajtohen me medikamente të tjera të alternuara nga specialistët. Importimi i gripit të derrit nuk ka lënë jashtë edhe Kosovën. Deri tani, shëndetësia Kosovare ka bërë publike 2 raste të qytetarëve që janë prekur nga virusi. Sipas përfaqësuesve të Institutit Kombëtar të Shëndetit Publik në Kosovë, bëhet fjalë për dy emigrantë Kosovarë, të cilët janë kthyer në atdhe për pushime. Ministria e Shëndetësisë së Kosovës, ka bërë të ditur se janë shtuar rastet e personave të dyshuar, për të cilët po kryhen ekzaminimet përkatëse.
31 Korrik 2009