Vidhen gjatë natës varret e Mborjes
• KORÇE – Prishet qetësia e të vdekurve të fshatit Mborje, i cili ndodhet 2 km në lindje të Korçës. Persona ende të paidentifikuar kanë grabitur objekte dekorative të varrezave, si vazo zbukurimi, kryqe e mbishkrime të ndryshme të përgatitura prej bronzi dhe mermeri. Një pjesë e madhe e tyre, pasi nuk ishin mundur të shkëputen të plota ishin thyer dhe hedhur përdhe nga autorët. Gratë e fshatit, që konstatuan të parat gjendjen e krijuar në varreza lajmëruan kryetarin e fshatit, të komunës dhe policinë lokale. Sipas tyre ishin rreth 20 vazo të shkulura e të vjedhura si dhe dhjetëra pllaka të varreve duke shkaktuar një dëm ekonomik të konsiderueshëm. Mendohet se vjedhësit kanë qenë me makinë, sepse tërheqja e sendeve të vjedhura nga varrezat kanë pasur peshë të madhe. Nga hetimet e para është mësuar se dhunuesit e këtyre varreve nuk janë adoleshentë të fshatit, por nga Korça. Vjedhja është kryer natën, pasi shumë objekte janë lënë mes varreve. Një prej punëtoreve të mirëmbajtjes në varreza ka bërë të ditur se bastisja e këtij mjedisi është kryer edhe herë të tjera sepse nuk ka roje nate. Edhe pse është diskutuar që të vendoset një roje nate me pagesë nga vetë fshatarët asnjë banor i Mborjes nuk ka pranuar ta kryejë këtë detyrë. “Varrezat, -deklaron ajo, - hapen në mëngjes dhe ruhen deri në drekë ka raste edhe gjatë pasdites. Por natën asnjë nuk merr përsipër të ruajë varret se kanë frikë.” Vjedhja e varrezave për banorët e Mborjes është një akt i rëndë, ndaj ata kanë kërkuar dje që policia të punojë për gjetjen e vjedhësve. j.gj