E Shtunë, 31 Tetor 2026

Bllokuan rrugën, në polici 4 banorë

• VLORE – Policia shoqëron disa banorë të Transballkanikes, të cilët po zhvillonin ditën e dytë të protestës së tyre.Ata bllokuan sërish segmentin që lidh portin me qytetin e Vlorës, për rreth 1 orë, duke pezulluar çdo lëvizje. Pas një ore ka ndërhyrë Policia e Qarkullimit dhe ajo e Rendit për të zhbllokuar situatën dhe lëvizjen e mjeteve. Disa prej banorëve nuk kanë pranuar të largohen, duke detyruar policinë të shoqërojë 4 prej tyre në komisariat. Më pas, protestuesit e tjerë janë larguar nga rruga, duke bërë të mundur kthimin në normalitet të qarkullimit të mjeteve. Banorët deklaruan se dhe ditën e sotme do të zhvillojnë protestë në të njëjtin aks rrugor, derisa qeveria të plotësojë kërkesat e tyre. Ata kërkojnë të mos u prishen shtëpitë nëse qeveria nuk u gjen shtëpi tjetër ose t’u rritet vlera e kompensimit të caktuar deri tani për metër katror. Protesta e banorëve në rrugë po kryhet paralelisht me grevën e urisë që po zhvillohet në një prej objekteve pranë rrugës Transballkanike. Katër gratë që nisën 3 javë më parë grevën kanë të njëjtat kërkesa, shtuar këtu dhe mungesën e certifikatës së pronësisë mbi banesat e tokat mbi të cilat do të kryhet zgjerimi i rrugës. Gjendja e tyre rëndohet çdo ditë e më tepër, pasi asnjëra prej tyre por e ka pranuar mjekimin në spital. As me protestuesit dhe as me grevistet nuk është marrë ndonjë takim ditët e fundit. Prefekti i Vlorës, në vizitën e pak ditëve më parë u premtoi se çdo gjë ishte gati në favor të qytetarëve, por grevistët sërish nuk pranuan të dilnin nga ngujimi.                  q.b

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›