Grupi folklorik i Vlorës fillon përgatitjet për festivalin
Festivali Folklorik Kombëtar i Gjirokastrës që do të mbahet në fund të muajit shtator, ka bërë që grupet folklorike të fillojnë përgatitjet për këtë eveniment të kulturës shqiptare.
Një ndër këto grupe është dhe ai i Vlorës, i cili synon të reflektojë vlerat më të mira të folklorit. Gjatë një takimi që u zhvillua dje në mjediset e Këshillit të Qarkut të Vlorës, me praninë e përfaqësuesve të Ministrisë së Turizmit, Kulturës, Rinisë e Sporteve, Komitetit Organizator të Festivalit, qeverisjes dhe institucioneve vendore të kulturës etj, u theksua se ky grup do të dalë si produkt i një procesi konkurrimi, që do të kalojë në tre faza, duke filluar nga komunat, bashkitë e rrethet përkatëse, duke i kushtuar vëmendje evidentimit të folklorit burimor që është edhe elementi më i spikatur në një aktivitet kombëtar. Të pranishmit theksuan faktin se Festivali Folklorik Kombëtar i Gjirokastrës duhet të shndërrohet në një manifestim të vlerave të krijuara në breza të folklorit burimor. Përgatitjet për Festivalin Folklorik Kombëtar të Gjirokastrës kanë nisur prej disa javësh në qarkun e Vlorës. Pas miratimit të platformës në Këshillin e Qarkut, ka filluar puna në terren për përzgjedhjen e grupit që do të përfaqësojë Vlorën. Aktualisht në qytetin e Vlorës organizohen çdo vit dy festivale folklorike të nivelit mesdhetar, ndërkohë që në fillim të muajit maj do të promovohet edhe një i tretë, me dimensione më të gjera. Aktualisht, vetëm në rrethin e Vlorës numërohen të paktën 40 grupe të tilla, me rreth 300 anëtarë që përfaqësohen rregullisht në aktivitete folklorike lokale e kombëtare.