Legalizimet, emrat e 5500 përfituesve
Miratohet lista e 12-të e legalizimeve të ndërtimeve pa leje. Gazeta boton sot të plota emrat e 5500 familjeve që përfitojnë nga vendimi i djeshëm i Qeverisë. Në listë edhe shtesat e kateve në ndërtime të para vitit 1993 dhe shtesa pa leje në pallatet e reja me leje. Krahas emrave të përfituesve, botohen edhe sipërfaqet e ndërtesave që do të marrin tapitë dhe numri i kateve. Listat e plota për Tiranën, Durrësin, Shkodrën, Lezhën, Beratin, Fierin Dibrën, Elbasanin, Gjirokastrën, Korçën, Vlorën dhe Kukësin. Shumica e emrave për qarkun e Tiranës janë në Bashkinë e Kamzës. “Në këtë mënyrë përfundon legalizimi në një qytet të dytë të madh të krijuar gjatë këtyre viteve, siç është Bashkia e Kamzës.” Duke u ndalur te procesi i kompensimit të pronarëve, Kryeministri tregoi se: “Agjencia e Legalizimeve ia ka dalë të mbledhë deri tani 9 milionë euro, të cilat po ua shpërndan ish-pronarëve të trojeve të zëna nga ndërtimet ilegale dhe se ky proces po ecën në përputhje me ligjin”. Nga vendimi i djeshëm i Qeverisë, do të legalizohen 2 milionë metra/katrorë ndërtime pa leje të ndara në 5,161 parcela ndërtimore.
Procedura
Sipas ligjit, pas miratimit nga Qeveria të emrave dhe botimit të tyre në fletoren zyrtare, ALUIZNI do të llogarisë edhe vlerën e pagesës për çdo sipërfaqe që do të legalizohet. Sipas ligjit të ri, fatura mund të paguhet edhe me letra me vlerë. Të gjithë ata që janë në proces privatizimi, mund të paguajnë deri në 80 për qind të shumës së detyrimit me letra me vlerë. Pjesa tjetër 20 për qind e shumës, do të duhet të paguhet me para. Pagesa deri në 80 për qind me letra me vlerë, bëhet vetëm për tokat e zëna që janë pjesë e çmimit të diferencuar dhe që shërbejnë për banim. Çdo qytetar duhet ta likuidojë faturën pranë sporteleve të bankës. Pas likuidimit të kësaj fature paraqitet të noteri përfaqësuesi i ALUIZNI dhe qytetari që ka ndërtuar pa leje. Te noteri bëhet akti noterial dhe pas kësaj mbyllet i gjithë cikli. ALUIZNI pra jep lejen e legalizimit, bën plotësimin e kartelës së pronësisë. Në të njëjtën kohë që merret leja, ALUIZNI dërgon edhe dokumentet pranë hipotekës. Hipoteka, sipas udhëzimit të ri, brenda 15 ditëve nga paraqitja e dokumentacionit detyrohet të regjistrojë pronën dhe të japë tapinë e re.
LISTEN E PLOTE, MUND TA SHIKONI NE FORMATIN PDF