Gripi i derrave i afrohet Shqipërisë, përgatiten dhoma izolimi
Gripi i derrave po i afrohet gjithnjë e më shumë vendit tonë. Përhapja e kësaj sëmundjeje tek vendet fqinje ka shtuar masën e frikës dhe alarmit. Zbulimi i dy rasteve me këtë sëmundje, një 22-vjeçare në Kroaci dhe një në Itali, kësaj i shtohet edhe dyshimi për një të sëmurë në Serbi, ka vënë para përgjegjësive dhe autoritetet shëndetësore shqiptare. Zv.ministri i Shëndetësisë, Arben Ivanaj, nuk ka përjashtuar mundësitë e infektimit, për këtë ai ka prezantuar dje edhe plan-veprimin. Shtysë për këtë plan është bërë Organizata Botërore e Shëndetësisë, e cila ka lëshuar alarmin për rrezikun e ardhjes së kësaj sëmundjeje edhe në Shqipëri.
Plani
Në spitalet rajonale dhe në QSUT ekzistojnë dhomat e izolimit. Stafi mjekësor është i përgatitur për simptomat e virusit të gripit të derrit, në rast të dyshimit për ndonjë person të prekur nga virusi, deri në momentin e deklarimit të tij si i sëmurë. Këto janë masat e marra nga Ministria e Shëndetësisë, OBSH dhe ISHP për sëmundjen e gripit të derrit. Në një mbledhje emergjente, MSH-ja ka njohur të gjithë drejtuesit e spitaleve rajonale me masat e nevojshme për përballimin e rasteve të mundshme me virusin e gripit të derrave.
“Rivlerësimi i situatës aktuale, që sipas të dhënave të fundit, paraqitet e mirë. Dhomat e izolimit tashmë ekzistojnë në spitalet rajonale si dhe stafi mjekësor është i përgatitur për simptomat e virusit të gripit të derrit", - tha zv.ministri Ivanaj. Për këtë rast, është shpërndarë plan-veprimi, ku përfshihen veprimet që duhen ndërmarrë nga të gjithë punonjësit e shëndetit publik dhe spitaleve, në rast të dyshimit për ndonjë person të prekur nga virusi, deri në momentin e deklarimit të tij si i sëmurë.
Në koordinimin e të gjithë veprimeve qëndron Ministria e Shëndetësisë, që do të ndërhyjë në momentin e dhënë, sipas situatës. "Është e rëndësishme që të insistojmë tek kalimi i mesazhit se jemi në një urgjencë mjekësore, por shumë larg një emergjence civile", - tha Ivanaj. Ai theksoi se "nuk ka vend për panik dhe nuk është e nevojshme të ndryshojmë asgjë nga sjelljet tona të përditshme".
Përgatitjet
Njëherësh, Ivanaj siguroi: "Në të gjitha spitalet tona ka maska dhe doreza të nevojshme për këtë qëllim, që përdoren rutinë, pasi nuk ka nevojë për speciale". Sipas tij, edhe paneli i duhur i medikamenteve është siguruar tashmë.
Specialistja e Institutit të Shëndetit Publik, Silva Bino, informoi lidhur me masat e nevojshme për situatën, ndër të cilat, përcaktimi i mjedisit ku do të trajtohen të sëmurët (reparti infektiv për të sëmurët dhe të rriturit, reanimacioni, si dhe atyre rezervë në rast të shtimit të numrit të personave), vendosja e etiketave të kujdesit respirator, përcaktimi i ekipit me mjekë dhe infermierë, autoambulancat që do të bëjnë transportin etj.
Për Qendrën Spitalore Universitare "Nënë Tereza" në Tiranë u rekomandua që për përballimin e një pandemie të mundshme, të ngrihen dhe mbahen në gatishmëri ekipet lëvizëse me specialistë të fushës, në ndihmë të spitaleve rajonale.
Gripi i derrave
MSH, 10 milionë lekë për përballimin e situatës në rast nevoje
Ministria e Shëndetësisë (MSH) ka vënë në dispozicion një fond emergjence prej 10 milion lekësh për përballimin në rast nevoje të një situate të mundshme të infektimit nga virusi i gripit të derrave. Ky fond që parashikohet të rritet në varësi të ecurisë epidemiologjike. MSH-ja ka nxjerrë dhe urdhrin për shërbimin 24 orë të shërbimit sanitar në të gjitha pikat e kufirit. Dikasteri i shëndetësisë informon publikun se nuk ka asnjë arsye që të ndryshojmë sjelljen tonë të përditshme. Në çdo rast, për informacion, MSH-ja kërkon nga të gjithë qytetarët të kontaktojnë me mjekun e familjes apo strukturat më të afërta të shëndetit publik. Mjekimi me "Tamiflu" është specifike në përdorimin e rasteve të mundshme. Zv.ministri i Shëndetësisë, Arben Ivanaj, tha se ky mjekim është siguruar në sistemin tonë shëndetësor për trajtimin e mbi 100 të sëmurëve. Sipas tij, MSH-ja ka komunikuar me kompaninë dhe përfaqësinë e kompanisë prodhuese në Tiranë, që kanë mundësi për trajtimin e mbi 1000 të sëmurëve. "Medikamenti është i disponueshëm dhe nuk do të shpërndahet në spitalet rajonale. Ai do të qëndrojë në farmacitë qendrore dhe në rast se do të duhet, do të shpërndahet në vatrën e dhënë", - theksoi Ivanaj.