Si të marrësh atë që nuk duan të ta japin!?
Mentor Beqa
Shqipëria ka bërë një hap të madh historik me anë të aplikimit pranë presidencës së radhës të Bashkimit Evropian për të marrë statusin e kandidatit për anëtar të Bashkimit Evropian. Pavarësisht polemikave të fshehta politike, të cilat reflektohen nëpërmjet mediave, të gjitha palët politike bien publikisht dakord se ky është një moment historik për Shqipërinë dhe këtu nuk ka vend për xhelozi arkaike politike, pasi përfituesit janë si anëtarët e Partisë Demokratike, po ashtu edhe ata të Partisë Socialiste. Gjithsesi, ky nuk është thelbi i asaj që do të ishte me vend të analizohej, pasi është një debat periferik, i cili nukse zgjat më shumë se pak ditë. Ajo që të bie në sy në këtë proces intensiv, ka të bëjë me rritjen e kapaciteteve negociuese të shtetit shqiptar (jo vetëm qeverisë shqiptare, por shtetit shqiptar si një entitet mbipolitik). Disa muaj më parë u krijua përshtypja se vendet anëtare të bllokut ishin kundër aplikimit të Shqipërisë, madje edhe disa përfaqësues të trupit diplomatik u shprehën hapur që nuk ishte me vend të kishte një aplikim përpara zgjedhjeve të qershorit. Qeveritë shqiptare në përgjithësi kanë shfaqur shenja të thella inferioriteti dhe tradita do ta donte që qeveria të tërhiqej në këtë rast, pas këtij presioni të supozuar ndërkombëtar. Kryeministri Sali Berisha u shpreh disa herë publikisht se nuk do të bënte asnjë lëvizje të njëanshme. Por thelbi i këtij qëndrimi duket se nuk kishte lidhje me tërheqjen nga kjo ambicie, por me gjetjen e kanaleve të tjera të komunikimit me vendet anëtare të bllokut. Kjo periudhë kohore ka qenë periudha e aktivitetit më të ngjeshur diplomatik që ka përjetuar ndonjëherë Shqipëria, nëse nuk do të llogarisim periudhën e krizës së Kosovës. Fillimisht, Kryeministri u prit nga Sekretarja e Shtetit, Hillary Clinton, dhe më pas u ftua në një sërë samitesh ndërkombëtare, ku u zhvilluan takime bilaterale me shumicën e kryeministrave të vendeve më të rëndësishme. Rezistenca e trupit diplomatik në Tiranë ndaj ambicies së Shqipërisë për të aplikuar sa vinte dhe zbehej. Më pas u zhvillua një takim me Kancelaren e Gjermanisë, Angela Merkel, dhe pavarësisht se nuk u arrit të merrej një deklaratë pro aplikimit, të paktën Gjermania që prej asaj kohe nuk rezistoi ndaj aplikimit. Më pas, vetëm dy muaj para zgjedhjeve, për herë të parë një kryeministër i Shqipërisë pritet në pallatin “Elize” nga Presidenti i Francës, vendit më skeptik për zgjerimin e Bashkimit Evropian. Presidenti Sarkozy artikuloi publikisht mbështetjen e Francës për anëtarësimin e Shqipërisë në BE dhe mirëpriti aplikimin e saj për statusin e kandidatit. Menjëherë pas kësaj arritjeje, Kryeministri i vendit fqinj, Greqisë, i cili njihet për marrëdhëniet e tensionuara me vendet fqinje, viziton Tiranën dhe shpreh mbështetje për aplikimin e Shqipërisë për statusin e kandidatit. Ndërkohë, ishte marrë dhe mbështetja e Çekisë, e cila kryeson presidencën e radhës të Bashkimit Evropian. Të gjitha këto aktivitete ishin të paparashikueshme edhe për një arsye tjetër: Shqipëria është në një vit elektoral dhe diplomacia e vendeve perëndimore është shumë skrupuloze për të ruajtur një qëndrim asnjanës ndaj palëve në garë. Pavarësisht kontekstit në të cilin ndodhemi, Kryeministri Berisha arriti të kalonte në atmosferën e një periudhe të ngjeshur me takime të rëndësishme dhe realizime të mëdha, si anëtarësimi në NATO dhe aplikimi për në BE. Edhe sikur qeveria shqiptare të ketë ceduar ndaj qeverive të vendeve që mbështetën aplikimin, për herë të parë ajo ka treguar kapacitete negociuese me palët, duke imponuar në njëfarë mënyrë qëndrimin e saj. Reagimet, që kanë si qëllim asgjësimin e kapitalit politik që akumulohet nga këto lëvizje, janë normale në një garë politike, por ato nuk kanë qenë të gjetura. Ndërtimi i një konspiracioni të plotë ndërmjet SHBA-së, Italisë dhe Francës dhe vendosja e Shqipërisë në këtë triangul, për tetë helikopterë që do të blejë ushtria shqiptare, është më shumë se qesharak. Shitja e ujërave territoriale të bregdetit shqiptar ndaj Greqisë është po ashtu e tillë, pasi së pari, ne nuk i kemi pasur ato, përndryshe nuk do të bëhej delimitimi dhe së dyti, edhe sikur të donim t’i shisnim, nuk e bënim dot, pasi këto lloj ndarjesh janë të parashikuara dhe të përcaktuara në detaje nga konventa ndërkombëtare. Reagimi i opozitës nën petkun e medias mund të kthehet në bumerang për vetë ata, pasi mosbesimi që ekziston tek ndërkombëtarët ndaj lidershipit të Partisë Socialiste, mund të rritet edhe më shumë nga këto lëvizje të pamenduara mirë.