Gjykata e Lartë; Kolegji Penal rrëzon dy vendimet e Apelit dhe Faktit
Tre javë pasi Kolegji Penal vendosi të pushojë gjykimin për çështjen ndaj ministrit Lulzim Basha, duke deklaruar se Prokuroria e Përgjithshme kishte vepruar jashtë afateve hetimore të përcaktuara me ligj, një tjetër Kolegj Penal i Gjykatës së Lartë rrëzoi dje vendimin e dy gjykatave të shkallëve më të ulëta, të Apelit dhe Faktit, se çështja duhej mbyllur për tejkalim të afateve. Këto dy vendime u quajtën nga Kolegji Penal ku bënin pjesë gjyqtarët Gani Dizdari, Guxim Zenelaj, Majlinda Andrea, Andi Çeliku dhe Ardian Dvorani, absolutisht të pavlefshme, me pretendimin se gjykatat nuk kishin kompetencë lëndore për shqyrtimin e kërkesave të ministrit Lulzim Basha. Sipas vendimit të kolegjit, vetëm Gjykata e Lartë është kompetente për shqyrtimin e tyre, pasi ministri Basha hyn te subjektet e veçanta që ka kompetencë kjo gjykatë. Ndërkohë që afro një muaj më parë, një tjetër Kolegj Penal vendosi të pushojë gjykimin për ministrin Basha, duke i konsideruar të pavlefshme veprimet hetimore të kryera nga Prokuroria e Përgjithshme. Madje, me vendimin e saj, Gjykata e Lartë e cilësoi dërgimin e dosjes për gjykim si vënie në lëvizje të gjykatës formalisht nga organi qendror i akuzës.