Gripi i derrave, kategoritë që do marrin falas vaksinën
zirina llambro
“Përcaktoni grupet prioritare të cilat duhet të vaksinohen për virusin A-H1N1”. Këtë rekomandim dha gjatë takimit të djeshëm Nata Menabde, nëndrejtoresha e OBSH-së për Evropën. Sipas saj, tashmë në botë është shpallur pandemia, çka do të thotë se të gjitha vendet duhet të marrin masa. ”Është një sfidë në mënyrë që t’i paraprijmë në kohë përkeqësimit të situatës. Ndërkohë, Ministrja e Shëndetësisë, Anila Godo, tha se fillimisht do të vaksinohen punonjësit e shëndetësisë, qeveritarët, gratë shtatzëna, fëmijët e vegjël dhe punonjësit e bankave. “Por ndërkohë është e rëndësishme që të vaksinohen personat, të cilët janë me sëmundje kronike, sidomos sëmundjet kronike respiratore, duke qenë që tashme ai sindromë të cilit ne i trembemi si komplikacion”, nënvizoi Godo. Vaksina do të mund të sigurohet vetëm në muajin nëntor. Te ne pritet të vijë një sasi e vogël, pasi numri i vendeve të prekura që janë futur në listën për t’u furnizuar është tepër i lartë. Instituti i Shëndetit Publik ka planifikuar që grupet e para që do të vaksinohen falas, ndërsa pjesa tjetër e popullatës duhet ta blejë atë në farmaci. Kostoja e vaksinës mendohet të jetë 1500 lekë. Specialistët pohojnë se vaksina jo vetëm do të mbrojë specifikisht popullatën nga gripi i derrave, por ka efekt edhe për t’u mbrojtur nga gripi i zakonshëm. Sakaq deri tani nuk ka asnjë rast të konfirmuar me grip derrash në vendin tonë. Të gjithë personat e dyshuar për fat të mirë kanë rezultuar negativë. Çdo ditë në ISHP sillen kampionë të rinj analizash, të cilat konfirmohen edhe në laboratorët e Rumanisë edhe Londrës. Për të përballuar një pandemi të mundshme, specialistët rekomandojnë se është e nevojshme jo vetëm që spitalet të jenë të pajisura me tamiflu, por edhe me të gjitha masat mbrojtëse, si doreza, maska, respirator, si dhe dhoma të veçanta me oksigjen, që në disa rrethe mungojnë. Në rast se ne prekemi nga gripi i derrave dhe ai nis të përhapet me shpejtësi, mjekët mendojnë se brenda një jave do të kemi 15 persona të prekur nga ky virus, çka do të bëjë të domosdoshëm që të kemi 10 vende në reanimacion. Ministria e Shëndetësisë ka deklaruar se në reanimacionin e kirurgjisë së përgjithshme dhe në atë të senatoriumit ka vende të lira, por duket se fluksi i zakonshëm i të sëmurëve e bën të vështirë realizimin e këtij planifikimi. Tashmë i gjithë rajoni dhe rreth 133 shtete të botës janë në hartën e vendeve të infektuara nga virusi A-H1N1. Shqipëria nuk mundet kurrsesi ta shmangë të njëjtën situatë. Madje, sipas ekspertëve, virusi tashmë është mes nesh por nuk është kapur ende nga strukturat shëndetësore. Vetë drejtuesit e ISHP kanë pohuar se forma të lehta të virusit kanë qarkulluar, por për fat të mirë nuk ka pasur persona me komplikacione. Simptomat e gripit të derrit janë të ngjashme me ato të gripit të zakonshme. Çdo qytetar që shfaq shenja të tilla duhet të drejtohet te mjekët.
Rastet në Botë dhe Rajon
94500 mijë të prekur në Botë
429 vdekje nga gripi
Rajoni dhe fqinjët
81 të prekur në Serbi
230 të prekur në Greqi
10 të prekur në Mal të zi
5 të prekur në Maqedoni
3 të prekur në Kroaci
148 të prekur në Itali
10 të prekur në Bullgari
310 të prekur në Francë
506 të prekur në Gjermani
Kapshticë, shtohen masat për gripin
KORÇE - Drejtoria e Shërbimit të Shëndetit Parësor në Korçë, prej dy ditësh ka shtuar masat për gripin e derrave. Kjo u vendos në mbledhjen e shtabit veprues të krijuar pranë këtij shërbimi ditët e fundit. Në mbledhjen e parë të tij, ky shtab vendosi të dyfishohen masat parandaluese në Pikën e Doganës së Kapshticës por edhe në katër pikat e tjera të këtij qarku. Sipas zëdhënëses së shtypit pranë kësaj Drejtorie, Liljana Ballço, në Doganën e Kapshticës janë çuar dy mjekë. Shërbimi shëndetësor në këtë pikë kufitare fillon në orët e para të ditës dhe vazhdon deri në orën 24:00. Mësohet se këto masa janë marrë edhe në doganat e tjera me Greqinë dhe Maqedoninë. Bllokimi që në kufi dhe marrja e masave të mjekimit të të sëmurëve të mundshëm do të ndihmojë në mospërhapjen e tij në radhët e popullatës. j.gj