Ish-futbollisti: I qëllova se qeshnin
VLORE / QEMAL BIRAKU
“I qëllova me thikë se më acaruan, ata qeshnin me të madhe duke pirë në lokal”. Kështu është shprehur pas arrestimit ish- futbollisti i Flamurtarit, Agim Bubeqi, për tragjedinë që ndodhi afër mesnatës së të enjtes në Vlorë.
Ai qëlloi me thikë pesë persona në një nga lokalet e lagjes “Isa Boletini”, në afërsi të fabrikës së orizit. Për pasojë, 26-vjeçari Edmond Guci gjeti vdekjen, pasi mjeti i mprehtë i kishte prerë atij venën kryesore të zemrës. Të plagosur rëndë mbetën 4 të tjerë, Juljan Islamaj, 27 vjeç, Enjard Nuraj, 21 vjeç, Gëzim Bardhaj, 40 vjeç dhe Isa Brahimaj, 28 vjeç. Të katër të plagosurit ndodhen në gjendje të rëndë në spitalin e Vlorës, por pas ndihmës së parë, mjekët pohuan se ata e kanë kaluar rrezikun për jetën. Njëri prej tyre ka shpëtuar mrekullisht, pasi thika për pak milimetra do t’i kishte prekur edhe atij zemrën. Ngjarja tronditi gjithë qytetin, edhe për shkak se autori 46-vjeçar i kësaj masakre, dikur ka qenë një personazh mjaft i dashur për të gjithë vlonjatët. Ish-futbollisti i klubit të Flamurtarit njihej nga të gjithë, për suksesin e tij në këtë sport në vitet ’80, ndonëse vitet e fundit ai ishte veçuar disi për shkak edhe të veprimeve të tij të luhatura. Të njohurit, por edhe fqinjët e tij, pohojnë se vitet e fundit gjendja e tij mendore ishte rënduar dhe herë pas here ai kalonte në depresion. Dyshohet që edhe në momentin e krimit, Bubeqi të ketë qenë në kushtet e një depresioni të rëndë. Ai nuk i ka duruar dot të qeshurat e një grupi shokësh, të cilët ishin ulur në një lokal, rreth 30 metra larg banesës së ish-futbollistit. Ky i fundit ka behur tek tavolina e tyre me një thikë në dorë, duke iu tërhequr vëmendjen se pse qeshnin. Këtë version të pohuar edhe nga autori, e kanë deponuar për grupin e hetimit edhe vetë viktimat. Sipas tyre, ata nuk kishin asnjë lidhje me agresorin. Tre prej tyre e njihnin thjesht si personazh, duke qenë se banonin në të njëjtën lagje, por nuk kishin marrëdhënie miqësore me të. Sipas policisë, gjendja psikologjike e të arrestuarit ishte mjaft e rëndë, ndaj ai është marrë në pyetje në mënyrë mjaft të kujdesshme, në praninë e disa ekspertëve të fushës së psikologjisë, duke përfshirë këtu jo vetëm psikologun, por edhe një mjek psikiatër. Bubeqi, pasi ka deponuar vetëm me një fjali motivin e krimit të kryer prej tij, ka shfaqur pendesë në polici, duke shtuar se nuk dinte se si kishte ndodhur ngjarja. Sipas burimeve, ai më pas ka shfaqur shenja depresioni dhe nervozizmi.
“Kishim kaluar rreth 40 minuta që po pinim në lokal, kur na është afruar tek tavolina Agim Bubeqi. Ai na shau dhe na tha se pse qeshnim. Ne ngelëm të habitur në fillim, por ai nisi të na qëllonte me furi me thikë, aq sa nuk na la as kohë që të reagonim e të mbroheshim. Sado që njëri prej nesh e qëlloi me karrige, ai nuk përmbahej. Nuk mbajmë mend shumë gjëra, gjithçka ndodhi sa hap e mbyll sytë”. Kështu kanë deklaruar të mbijetuarit e kësaj ngjarjeje që u kthye në një tragjedi. Bubeqi, 46 vjeç, jetonte me nënën e tij në katin e tretë të pallatit, 30 metra larg lokalit. Lokali ku ndodhi ngjarja kishte çadra jashtë në trotuar dhe nuk dukej fare tavolina, me personat që pinin, që nga ballkoni i Bubeqit. Ai akuzohet për vrasje në rrethana të tjera cilësuese.
Pronari: Skenën e pashë nga banaku, ishte tmerr
Pronari i lokalit ku ndodhi vrasja, ashtu si dhe dëshmitarët e tjerë që panë skenën e tmerrshme, tregon se gjithçka ndodhi krejt papritur për ta. “Të pestë personat kishin porositur mish të pjekur që në mesditë, dhe në mbrëmje rreth orës 10:00 erdhën në lokal për të ngrënë dhe pirë së bashku. Gjatë gjithë kohës kanë ngrënë dhe pirë pa asnjë shqetësim dhe pa bërë zhurmë. Agim Bubeqi gjatë gjithë pasdites ka qëndruar në ballkon duke sharë me vete njerëzit që kalonin poshtë pallatit, si dhe në rrugë, por askush nuk ia vinte re se e dinin që s’ishte normal”, tregon ai. Sipas pronarit, rreth orës 23:00, Bubeqi kishte zbritur në dyqanin e bukës me thikë në brez. Kur nuk ka parë njeri, i është drejtuar lokalit, duke qëlluar drejt tavolinës së 5 shokëve. “Askush nuk kishte mundësi të mbrohej nga ky sulm. Kur po kthehej për në shtëpi, pa njërin prej të plagosurve, Edmond Gucin, mbështetur në një fugon që ishte në rrugë. Agresori i shkon afër, duke qëlluar sërish me thikë. Më pas hyri në shtëpi, doli prapë e u kthye sërish. Ishte një tmerr i vërtetë të shikoje 5 persona të mbuluar me gjak dhe të shtrirë për tokë. Të gjitha veprimet i pashë nga banaku. Dola me shpejtësi, por atëherë çdo gjë kishte përfunduar. Të tronditur, bashkë me të tjerë, nxituam t’i çonim të lënduarit në spital”. Pronari i lokalit, pas ngjarjes së rëndë është shoqëruar në komisariat për të dhënë dëshminë e tij. Gjatë ditës së djeshme ka larë dhe pastruar të gjithë ambientet, ndërsa vetëm rreth orëve të pasdites e ka hapur lokalin.