Rama: Projektin e përfundojmë bashkë
Aristir Lumezi
“Projektin tonë dhe pse pak me vonesë, do ta çojmë bashkë deri në fund”. Ky ishte premtimi që kryetari socialist në mënyrë sintetike u dha dje drejtuesve të PS-së në komunat dhe bashkitë e vendit. Kreu socialist Edi Rama mblodhi dje në një lokal në periferi të kryeqytetit, “Xibraku”, të gjithë krerët lokalë socialistë, të cilët i falënderoi për kontributin e tyre në zgjedhjet e 28 qershorit, por dhe u premtoi se humbja nuk do të thotë braktisje të misionit që kanë nisur bashkë. “Dua t’ju falënderoj për punën e bërë nga ana juaj në këtë fushatë të vështirë dhe të lodhshme. Megjithëse na u zgjat pak rruga, por projektin tonë do ta çojmë bashkë deri në fund. Do takohemi dhe do jemi në kontakte”, u shpreh dje kryetari socialist Edi Rama, i cili ishte nën shoqërinë e kryetarit të Asamblesë Kombëtare, Gramoz Ruçi, Valentina Leskaj, Fatmir Xhafaj, Blendi Klosi, Erion Braçe, Mimi Kodheli, Et’hem Rukaj dhe Sajmir Tahiri. Takimi i djeshëm u zhvillua vetëm një ditë para mbledhjes së Asamblesë Kombëtare, ku pritet që PS-ja të marrë vendime të rëndësishme në historinë e saj për qëndrimin ndaj zgjedhjeve parlamentare. Më pas Rama ka kaluar në të gjitha tavolinat, ku të pranishmit shijonin koktejin e përgatitur me këtë rast, duke shkëmbyer batuta me vendorët. Takimi nuk ka zgjatur më shumë se 30 minuta, ndërkohë që një pjesë e tyre do të jenë dhe sot në mbledhjen e Asamblesë Kombëtare.
Asambleja
Sot në orën 11:00, në të njëjtin vend ku Rama priti dje drejtuesit vendorë të PS-së, nis punimet Asambleja Kombëtare e PS-së. Në qendër të saj është qëndrimi i PS-së ndaj zgjedhjeve të 28 qershorit dhe qeverisë së dalë prej saj, por dhe thirrja e kongresit të jashtëzakonshëm brenda muajit gusht. Mësohet se në mbledhjen e sotme, përveç fjalës së kryetarit socialist, do të paraqiten dhe rezolutat për miratim. Një grup anëtarësh të Asamblesë, të cilët shprehin qëndrimin radikal brenda PS-së, do të kërkojnë miratimin e një rezolute që shpreh një pozicion të ashpër ndaj zgjedhjeve dhe qeverisë. Pritet që kjo rezolutë të paraqitet nga deputeti Erion Braçe, përmes së cilës kërkohet mosnjohje të rezultatit të zgjedhjeve dhe hyrjen e grupit parlamentar socialist në Kuvend, me kusht përgatitjen e zgjedhjeve të parakohshme. Zgjedhjet pritet të cilësohen si masakër elektorale, ndërsa qeveria e dalë prej tyre ilegjitime. Jo vetëm kaq, por ky pozicionim do të kërkojë dhe organizimin e protestave popullore kundër manipulimit të votave nga ana e maxhorancës. Këtij qëndrimi të ashpër, grupi i anëtarëve të Asamblesë që përfaqësohen nga Blushi, Malaj, Islami, Bello etj., do t’i përgjigjet përmes një promemorie që kërkon shmangien e bojkotit të zgjedhjeve dhe njohjen e rezultatit të zgjedhjeve. Sipas këtij dokumenti, procesi zgjedhor kritikohet në ato raste kur ka pasur parregullsi, por citohet se këto parregullsi nuk ndikojnë në rezultatin përfundimtar të tyre që nxjerrin koalicionin e PD-së fitues. Kjo promemorie do të kërkojë një analizë të zgjedhjeve sipas statutit dhe dokumenteve të miratuara nga PS-ja, ndërsa këmbëngulet në ruajtjen e qetësisë politike dhe hapjen e një diskutimi konstruktiv në PS. Por në përplasje të këtyre dy rezolutave, pritet të paraqitet një rezolutë e tretë, më e moderuar, e cila të gjejë një konsensus brenda Asamblesë, ndërsa do kërkojë t’i japë kongresit të PS-së misionin e miratimit të një qëndrimi zyrtar ndaj zgjedhjeve për PS.