KQZ: S’dimë gjë
(E plotësuar) Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ende nuk e ka marrë vendimin e Gjykatës Supreme për përsëritjen e zgjedhjeve në Komunën e Mitrovicës.
Kryetarja e KQZ’së, Valdete Daka, ka thënë se nga mediat ka dëgjuar për vendimin e Gjykatës Supreme, mirëpo sipas saj, një vendim i tillë nuk ka shkuar në mënyrë zyrtare në KQZ.
“Jo, jo, ne nuk kemi asgjë zyrtarisht. Me sa di unë edhe atë vetëm prej medieve, vendimi nga Gjykata Supreme është marrë vonë dikur dje pasdite dhe neve nuk na është dorëzuar zyrtarisht, sepse nuk ka punuar askush në atë kohë dhe sot është festë dhe ne nuk kemi ku ta marrim atë vendim, respektivisht neve duhet të na dorëzohet zyrtarisht, kështu që nuk mund të jap asnjë prononcim, as nuk mund të them asgjë, sepse nuk e kam parë vetë as unë as askush nga KQZ’ja nuk e ka parë atë vendim. Kështu që pa e parë atë vendim, nuk mund të them asgjë”, ka thënë Daka të sot pasdite.
Në bazë të aktgjykimit të Gjykatës Supreme, është anuluar vendimi i Panelit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa, ndërsa është urdhëruar KQZ’ja që t’i përgatis procedurat për përsëritjen e votimeve në këto qendra.
Hasani: Shkeljet ndikuan direkt në rezultat
Kryetari i Gjykatës Supreme, Fejzullah Hasani, ka konfirmuar për Express se është marrë vendim për përsëritjen e zgjedhjeve në 24 vendvotime në Komunën e Mitrovicës. Vendimi, ka shpjeguar ai, është marrë pasi Paneli për Ankesa dhe Parashtresa nuk e ka arsyetuar konstatimin se shkeljet nuk kanë ndikuar në rezultatin përfundimtar të zgjedhjeve.
“Është marrë një vendim, i cili i është shpërndarë KQZ’së, KZAP’it dhe partisë që ka bërë ankesë, ku anulohen 24 vendovotime në regjionin e Mitrovicës. Ky vendim është marrë në bazë të shkeljeve që i ka konstatuar edhe vetë PZAP’i”, ka thënë Hasani, nëpërmjet telefonit për Express.
Ai ka thënë se të gjeturat e PZAP’it kanë qenë vendimtare për vendimin për përsëritjen e zgjedhjeve në Mitrovicë. Gjykata ka konsideruar se këto shkelje kanë pasur ndikim direkt në rezultatin e përgjithshëm.
“Subjekti që ka ngritur ankesën, ka specifikuar shkeljet. Këto shkelje i ka gjetur edhe PZAP’i, por ato shkelje, sipas tyre, nuk kanë ndikim ne rezultatin përfundimtar të zgjedhjeve. Ne njëherë e kemi prishur vendimin e PAZP’it dhe i kemi sugjeruar që konstatimin se shkeljet nuk kanë ndikim në rezultat, ta paraqesë me prova bindëse. PZAP vetëm e ka përsëritur një vendim dhe ka thënë se shkeljet janë, por nuk kanë ndikim”, ka sqaruar ai.
Pas këtij vendimi të Gjykatës, KQZ do të mbajë mbledhje të shtunën për të marrë vendim për përsëritjen e zgjedhjeve në krejt Komunën e Mitrovicës, sikurse kishte vendosur edhe për tri komunat e tjera.
Gjykata Supreme vendos të rivotohet në Mitrovicë
Gjykata Supreme e Kosovës, mbrëmë ka marrë vendim për përsëritjen e zgjedhjeve në 24 qendra të votimeve në komunën e Mitrovicës.
Vendimi është marrë pas ankesës së paraqitur nga Lëvizja Vetëvendosje për keqpërdorime të votave në zgjedhjet e 12 dhjetorit.
Vendimi është konfirmuar nga kryetari i Gjykatës Supreme të Kosovës, Fejzullah Hasani.
Në bazë të aktgjykimit të siguruar nga RTK-ja, anulohet vendimi i Panelit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa, ndërsa urdhërohet KQZ-ja që t`i përgatisë procedurat për përsëritjen e votimeve në këto qendra.
Ndërkohë, kryetarja e KQZ-së, Valdete Daka, ka thënë se nuk është në dijeni për këtë vendim.