Gripi i derrave, realitet apo alarm për përfitime?Nga Xhovani ShytiI ashtuquajturi gripi i derrave përbën sot temën më të preferuar, jo vetëm për gazetarinë e zhuritur nga vapa, por edhe për një sërë institucionesh zyrtare. Flasin për të radio, telev
Nëse dëshironi të lexoni edicionin online të gazetës në PDF klikoni këtu.
Gripi i derrave, realitet apo alarm për përfitime?Nga Xhovani ShytiI ashtuquajturi gripi i derrave përbën sot temën më të preferuar, jo vetëm për gazetarinë e zhuritur nga vapa, por edhe për një sërë institucionesh zyrtare. Flasin për të radio, televizione, gazeta e revista, duke manifestuar po të njëjtin ton alarmues, a thua se kemi të bëjmë me epideminë e kolerës së vitit 1994, kur mbushja e spitaleve me pacientë ishte një realitet i prekshëm. Megjithatë, e keqja nuk qëndron te gazetarët që shpejtojnë të publikojnë çdo deklarim zyrtar, as te lajmet e televizionet që mezi presin të teshtijë dikush, por tek organet kompetente shtetërore. Pasi ajo që bie në sy është fakti se baza mbi të cilin ngrihet ky realiteti i hiperbolizuar mediatikisht janë institucionet zyrtare. Me ton kushtrimor del e flet përpara ekraneve të televizorëve Alban Ylli, drejtor i Institutit të Shëndetit Publik, dhe po të njëjtën sintoni mbajnë edhe përfaqësues të dikasterit të Shëndetësisë, duke mos përjashtuar as ministren Godo. Jo më larg se disa ditë më parë, kjo e fundit, që nga fundi i kolltukut të zyrës, ku ishte zhytur, dha kushtrimin për vaksinimin e popullsisë, duke sqaruar se ministria është duke studiuar kategoritë që do të jenë të parat në listën e bërjes së vaksinave. Për mënyrën si e trajtonte problemin ministrja nga ekrani i televizionit dukej sikur “gripi i derrave” ishte prapa derës së kufirit shqiptar dhe mosfutja ishte meritë e bllokadës që i kishin bërë vartësit e saj alarmues. Ndërkohë, para saj, drejtori i ISHP, Alban Ylli, kishte folur për të njëjtin problem, duke paralajmëruar mbushjen e magazinave farmaceutike me medikamentin e quajtur “Tamiflu”. Kjo nuk ishte hera e parë që Ylli nxirrte kokën në ekranet televizive për të alarmuar shqiptarët rreth “pandemisë së gripit të derrave”, siç i pëlqen ta quaj, por ishte e para herë që prononcimi i tij zbuloi diçka nga arsyeja e hiperbolizimit të realitetit tonë. E them këtë, pasi vetëm pak ditë pas kësaj Alban Ylli u nis drejt Suedisë për t’u pjesëmarrë në një takim disaditor rreth “gripit të derrave”, për të cilin kompetent nuk është ai, por Silva Bino, një specialiste e mirëfilltë. E thënë troç, nga situata alarmante Ylli siguroi spostimin e specialistes nga takimi ndërkombëtar dhe garantoi vizitën e tij në një shtet që i kishte mbetur pa parë.
Dua të arsyetoj pas kësaj se shpesh alarmet mediatike janë pjesë e hiperbolizimit të realitetit nga ana e drejtuesve të shëndetësisë, të cilët, duke shfrytëzuar paditurinë dhe jo profesionalizmin e aradhes së gazetarëve, i fusin këta në grackë për të arritur qëllimet e tyre përfituese, sepse “gripi i derrave” nuk është i pari që ka stimuluar këtë qëndrim zyrtar hiperbolik të drejtorit Ylli. Po të njëjtin realitet alarmues ai ka dhënë, - dhe jam i bindur se do vazhdojë të japë, - edhe për gripin e zakonshëm, kur afrohen sezonet mars-prill e shtator-tetor, duke e përfunduar me sentencën kushtrimore: “Vraponi të blini vaksinën antigrip, kontingjenti i parë i së cilës ka mbërritur nëpër farmaci”.
Në këtë kontekst kam bindjen se qëndrimi i instancave zyrtare rreth pandemisë së “gripit të derrave” lë shijen e një hiperbolizimi të situatës për të përfituar më tepër sesa për të treguar një realitet që është apo pritet të jetë prezent. Ma përforcojnë këtë edhe dy realitete të tjera brenda këtij realiteti të fryrë. Në një prononcim të vetin specialistja e Institutit të Shëndetit Publik, znj. Silva Bino, arsyetoi qetësisht të njëjtin realitet, duke lënë të kuptohej se gjendja nuk është alarmante dhe për ta mbajtur atë nën mbikëqyrje të rreptë do të shtohen rastet e dërgimit të analizave drejt Bullgarisë për pacientët e dyshuar. Kështu u shpreh Bino, e cila, e theksoj, është nga të paktët specialistë kompetente të shëndetit publik, përkundër drejtorit Ylli, që merr përsipër të bëjë specialistin për gjithçka, pa qenë specialist për asgjë. Këtë pohim të znj. Bino e përforcoi me vonë edhe Gazmend Bejtja, që përveçse drejtor i Drejtorisë së Shëndetit Publik në Ministrinë e Shëndetësisë, është po aq specialist sa znj. Bino në këtë fushë. Pasi parashtroi para shtypit situatën e qetë dhe realitetin shqiptar të paprekur nga “gripi i derrave”, edhe z. Bejtja theksoi se nuk ka vend për panik, pasi edhe ato raste të dyshuara i janë nënshtruar mbikëqyrjes e analizimit, nga ku kanë dalë pa ngarkesa gripale. As prej z. Bejtja dhe as prej znj. Bino nuk është dëgjuar të pohojnë se muajt shtator-tetor do të jenë për shqiptarët “një skëterrë” e pritshme nga mbërritja e “gripit të derrave”, ashtu siç artikulon pa asnjë përgjegjësi drejtori Ylli e të tjerë zyrtarë inkompetentë, që, përveç kësaj, nga ekranet e televizioneve u tregojnë shqiptarëve dhomat e gatshme të urgjencave që presin pacientët e vjeshtës. Por ajo që i vë kapakun arsyetimit dyshues, rreth realitetit të “gripit të derrave”, dhe hiperbolizimit të tij nga segmente të veçanta të administratës, që përfitimin e kanë princip të punës së tyre, është e dhëna e shpërndarë nga Organizata e Botërore e Shëndetësisë për shtypin dhe medien ndërkombëtare. Sipas saj, agresiviteti jetëmarrës i “gripit të derrave” paraqitet i tillë: Në 100 mijë pacientë vetëm 400 kanë gjetur vdekjen, që do të thotë se më shumë të vdekur rezultojnë nga gripi i zakonshëm sesa ai i derrave. Sepse specialistët pohojnë se “gripi i derrave” nuk ka ndonjë diferencë nga gripi i zakonshëm, që është vdekjeprurës po për të njëjtët kategori pacientësh si dhe ky i derrave, pra, që manifestojnë sëmundje kronike të koronareve, të imunitetit, të rrugëve të frymëmarrjes etj., ose për kategoritë e pleqve, të fëmijëve shëndetligj, të grave shtatzëna etj. Atëherë pse alarmohet kaq shumë popullsia nga “gripi i derrave”? Dhe, së fundi, situata e “gripit të derrave” të kujton atë të homologut të tij të pulave, që në Shqipëri, nga po të njëjtët zyrtarë hiperbolikë, u trumbetua si një pandemi agresive vdekjesjellëse dhe u mbyll me marrjen e mbi një milion dollarëve fonde, që nisën të lëvrohen, kur “gripit të pulave” nuk i kishte mbetur as nam e as nishan. Për këtë arsye me to u blenë vetura të reja fringo, që kurrë nuk udhëtuan me këtë destinacion, e të tjera mrokulla të mbetura magazinave, u financuan OJF fantazma etj., etj., ndërsa askush nuk u kujtua t’i hynte një verifikimi konkret të destinacionit të shpenzimeve.